Rritje të mëtejshme për pagat e mësuesve deri në fund të mandatit

Garantimi tanimë i konsoliduar i meritës së mësuesve, mosprekja edhe moscënimi i mësuesve për arsye politike, moslëvizja e mësuesve nga këtu atje për arsye korruptive apo në mënyrë arbitrare dhe sidomos çelja e një rruge tanimë të shkruar në ligj të konkurrencës dhe të meritës për gjithë mësuesit që duan të hyjnë në sistem, përbën një arsye shumë të fortë për ta parë të nesërmen e sistemit tonë arsimor parauniversitar, me optimizëm dhe për të besuar se rezultatet do të shkojnë në rritje.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në prezantimin e buxhetit 2019 për Arsimin, duke shtuar se “padiskutim që kemi nevojë që ta rrisim më shumë pagën e mësuesve”.

“Rritja e vitit të ardhshëm është e rëndësishme, ashtu sikundër është e rëndësishme që ta kthejmë kokën pas e të shikojmë se cila ishte paga reale e mësuesve 5 vjet më parë. Mësuesit paguheshin më pak dhe paguanin më shumë taksa nga rroga e tyre. Sot mësuesit paguhen më shumë dhe paguajnë më pak taksa nga rroga e tyre. Por deri në fund të mandatit ne duam ta rrisim përsëri pagën e mësuesve, ky është qëllimi”, – deklaroi Rama.

Ai vijoi më tej duke theksuar se edhe reforma e gjimnazeve ka qenë një reformë që përsëri i ka ardhur në ndihmë procesit, mësuesve dhe nxënësve.

“Ka qenë një hap i madh, pavarësisht se ishte komplet si veza e Kolombit. Ndryshimi i sistemit duke kaluar në 3 lëndë në 6 orë, që erdhi nga vetë mësuesit, një hap shumë domethënës dhe shumë pozitiv i përshëndetur nga mësuesit dhe prindërit dhe për të mos marrë në sysh dhe i akuzuar dhe i sulmuar nga ata të Unazës së Re”, – tha Rama. /atsh

Loading...