Rruga e Arbrit dhe aksi Burrel-Klos në hartën e infrastrukturës së transformuar

Dy akse të tjera shumë të rëndësishme, Rruga e Arbrit dhe Burrel-Klos, do t’i shtohen hartës së infrastrukturës rrugore rrënjësisht të transformuar të vendit.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, i cili inspektoi punimet që po kryhen në aksin Vorë-Fushë-Krujë.

Në Klos, u shpreh Kryeministri, që në kohën kur kishte shkel shoku Enver atje, s’kishte vënë dorë më asnjeri, vetëm për të shkuar për të ngritur gishtat e demokracisë. “Edhe Rruga e Arbrit po ecën shumë mirë”, tha ai.

Sipas kreut të ARRSH-së, Afrim Qendro “rruga e Arbrit deri tani është me ritme shumë të kënaqshme”. “Jemi diku mbi 20 e ca për qind punime të kryera. Shumë afër fillojmë dhe Milot-Balldren dhe Thumanë-Kashar dhe me këto, i gjithë aksi merr formë përfundimisht, bashkë me të gjithë elementët, deri në Balldren ku shmanget ajo rrëmuja dhe gjithë ajo situata e pakëndshme që është krijuar në hyrje të Lezhës”, tha ai.

Sipas Qendros, “i gjithë aksi, me doganën e Muriqanin dhe me Hanin e Hotit, kalon në kushte normale dhe bëhet një aks i mbyllur”. “Përfundimisht do të kemi rrugë të kategorisë A të mbyllur, siç kemi bërë edhe Unazën Lindore. Nëse sot, nga Skurajt kërkon një orë e gjysmë gati të shkosh në Burrel dhe gjatë luginës është një rrugë e keqe, me bërjen e Burrel-Klosit dhe me Rrugën e Arbrit, Klosi vetë vjen për 35 minuta në Tiranë. Po ashtu Burreli. I gjithë aksi lëvizës do të ndryshojë, po ashtu dhe i gjithë zhvillimi ekonomik”, tha kreu i ARRSH-së.

Ai theksoi po ashtu se “paralelisht po punohet në të gjitha arteriet e hapura rrugore, si dhe në zonat që paraqisnin rrezikshmëri për rrëshqitje me afrimin e stinës së dimrit, apo për katastrofa natyrore”.

“Të gjitha pjesët e tjera të rehabilitimit i kemi hapur e jemi në përfundim. Shkodër-Muriqan është drejt fundit, edhe Fushë-Mjeda, edhe Tamara. Gjithashtu Gjirokastër-Lazarat është drejt përfundimit. E gjithë paketa rehabilituese është drejt përfundimit. Ndërkohë që janë bërë dhe shumë emergjenca, si në Xhyrë, në Urën e Peqinit, disa vepra të tjera që janë shumë të rëndësishme për sigurinë rrugore dhe për të shmangur të gjithë këto katastrofat e mundshme që mund të na vinin”, tha Qendro.

Kryeministri Rama nënvizoi gjithashtu nevojën e zgjidhjes përfundimtare të problemit të ujërave në autostradën Tiranë-Durrës, që sollën përmbytje një vit më parë.

Drejtori ARRSH-së tha se është gati i gjithë studimi hidrik dhe ajo çfarë duhet për të ndërhyrë.

“Kemi gjetur hapësirat në kontratë dhe do bëhet një ndërhyrje emergjence, të shpejtë, për të bërë të mundur mospërsëritjen e asaj situate që kishim. Ndërkohë që kemi një bashkëpunim të mirë me disa biznese, të cilët në pjesën mbrapa bizneseve të tyre kanë filluar pastrimin e kanaleve”, deklaroi Qendro, duke shtuar se është vendosur edhe bashkëpunimi me KESH-in dhe institucione të tjera për të realizuar një zgjidhje përfundimtare, për shkak se në atë zonë ka rrjete të sistemit të ujit të pijshëm dhe të tensionit të lartë. /atsh

Loading...