Rruga e lumit të Vlorës, impakt të madh ekonomik për banorët

Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Benet Beci, tha sot në Komisionin për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin se vitin e ardhshëm do të ndërtohen disa akse përgjatë lumit të Vlorës të cilat do të sjellin një impakt të rëndësishëm në zhvillimin e zonës.

Benet Beci, theksoi se “projekti i lumit të Vlorës është nga më të rëndësishmit, në rajonin e Vlorës dhe me një impakt të madh ekonomik në këtë zonë”.

“Pjesa e fshatrave përreth lumit, do të lidhen me aksin kryesor. Po shohim edhe se si të lidhim zonën e Tepelenës, e me tej poshtë deri në Himarë”, tha ai.

Drejtori i FSHZH-së shpjegoi ecurinë e punimeve. “Punimet për segmentin e parë të rrugës së lumit të Vlorës prej 23 km, nga Peshkëpia deri në Gjorm, kane ecur mjaft mirë, dhe ne shpresojmë që në pranverën e vitit të ardhshëm të ketë përfunduar rruga me të gjitha parametrat”.

Ndërkohë për vitin e ardhshëm parashikohet të fillojnë punimet edhe në disa “lote” të tjerë. “Dhe shumë shpjet ne do të fillojmë edhe dy “lotet” e tjera nga Gjormi në Brataj dhe nga Ura e Laskos deri në Qeparo. Po punojmë që të dy “lotet” të fillojnë në të njëjtën kohë. Ndërsa segmenti nga Ura e Selenicës deri te Ura e Peshkëpisë është nënshkruar kontrata  dhe besoj fillon vitin e ardhshëm”, tha Beci.ATSH

 

Loading...