Rruga e Lumit të Vlorës, Loti III/ Fondi i Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab, financon 6.8 milionë dinarë

Komisioni i Kuvendit për Veprimtarinë Prodhuese, miratoi sot projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së një hua shtesë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Fondit të Kuvajtit për Zhvillimin Ekonomik Arab, për financimin e projektit të rehabilitimit të rrugës së lumit të Vlorës, loti i tretë në shumën prej 6,8 milionë dinarësh
kuvajtianë.

Segmenti i tretë (loti III) është 23,7 km i gjatë dhe shtrihet nga Ura e Laskos në Qeparo.

Në mbledhjen online të komisionit, relatori i këtij projektligji, Vullnet Sinaj, tha se, i gjithë projekti për rindërtimin e rrugës së Lumit të Vlorës shtrihet në luginën e Shushicës dhe përfaqëson një projekt me rëndësi strategjike, që lidh zonën rurale me bregdetin.

“Projekti ka impakt të drejtpërdrejtë në zhvillimin e bujqësisë, turizmit dhe ekonomisë në tërësi. Rindërtimi i rrugës Gusmar-Kuç, pjesë e lotit të tretë do të rrisë më shpejt aksesin e zonës së Tepelenës me zonën e bregut”- tha Sina.

Deri tani ky projekt i rëndësishëm ka përfunduar ndërtimin e lotit të parë 22 km nga fshati Babicë deri në fshatin Gjorm; ndërtimin e lotit të dytë 27,1 km që shtrihet nga Ura e Gjormit-Brataj-Ura e Laskos.

Gjatësia e projektit përfundimtar të rrugës së Lumit të Vlorës është 90 km. Nga investimi pritet të përfitojnë mijëra banorë, të fshatrave të Vlorës, Selenicës dhe Himarës.

Punimet për rrugën e Lumit të Vlorës nisën në vitin 2017, ndërsa përfundimi i plotë i kësaj rruge pritet në muajin maj të vitit 2022.

Ndërkohë është miratuar edhe projekti për lotin IV të këtij projekti Peshkëpi-Selenicë 16.6 km që do të sjellë një impakt të konsiderueshëm jo vetëm në përmirësimin e
cilësisë së jetës së komuniteteve që jetojnë në këto zona, por edhe në zhvillimin
e turizmit.

Lidhja e shpejtë infrastrukturore mundëson diversifikimin e paketave turistike që iu ofrohen turistëve, vendas dhe të huaj, per jo vetëm turizëm bregdetar por edhe malor, duke i dhenë një shtysë zhvillimit ekonomik të këtyre zonave dhe veçanërisht përmirësimit të ekonomisë rurale./atsh

Loading...