Kryeministri Edi Rama inspektoi sot 2 kantieret e reja mes maleve të Labërisë, njëri segmenti i tretë i rrugës së Lumit të Vlorës dhe tjetri aksi i ri malor Gusmar-Kuç, që do të lidhë Tepelenën me bregun e Himarës dhe që bëjnë realitet një ëndërr të moçme.
“Një tjetër premtim i dhënë nga qeveritë e shumë dekadave, e mbi të gjitha mundësia e zbulimit brenda një ore nga vetë shqiptarët përveçse nga vizitorët e huaj, të njërës prej pjesëve më spektakolare të natyrës shqiptare”, tha Rama, gjatë këtij inspektimi.
Kryeministri theksoi se “falë këtij investimi të madh nis për tërë këtë zonë përrallore edhe koha e një ekonomie të re rurale, ku natyra, historia, prodhimet bio dhe mikpritja tradicionale, kthehen në motorët e zhvillimit të agroturizmit me një ofertë sensacionale”.
Rama shprehu bindjen se “kjo do të jetë një nga zonat më të zhvilluara të agroturizmit”.
“Një nga zonat ku ndërtimi apo transformimi i shtëpive të vjetra në bujtina dhe ndërtimi i strukturave hoteliere rurale do të lulëzojë pa diskutim. Faktikisht këtu ndryshe nga zona e bregut mund të vihet gjatë gjithë stinëve, bën turizëm gjatë dimrit dhe gjatë verës”, tha Rama.
Kryeministri tha se “gjithë prodhimi superbio i kësaj zone do hidhet në shërbim të turizmit poshtë”.
Duke e cilësuar një projekt fantastik, Rama tha se edhe investitorët suedezë që janë vendosur në Nivicë kanë shprehur habinë se pse nuk është bërë deri tani kjo rrugë, se është faktikisht rrugë ekonomike.
“Ata kanë një superprogram turistik me struktura komplet të lehta ekologjike. Kur kemi bërë diskutimin e parë e vetmja gjë që thanë është: A është e sigurt që lidhet Nivica me bregun se atëherë do të jetë një nga historitë më të bukura të suksesit të kompanisë tonë”, tha Rama.
Kryeministri tha se “kjo është një zonë që fatkeqësisht përveç atyre që banojnë apo janë nga kjo zonë, shqiptarët nuk e njohin fare”.
“Nuk e njeh njeri, edhe turistët nuk kanë shanse ta shikojnë të gjithën. Ose do të shkosh në Tepelenë e Nivicë nga njëra anë ose në Qeparo, por që t’i kalosh malet brenda një kohe të shkurtër është diçka që nuk ka qenë e mundur asnjëherë”, tha Kryeministri.
“Kur kemi ardhur në fillim dhe kemi premtuar rrugën na thanë të moshuarit mos e bëj edhe ti si Ramiz Alia, që erdhi na gënjeu. M’u duk habi që që atëherë është dhënë premtimi do të bëjmë rrugën, gëzuar festën e Brigadës dhe iknin. Pastaj edhe mbrapa, të gjithë e bënë ritualin. Unë nuk kam ardhur ndonjëherë për festën e Brigadës, por për rrugën erdha. Është një spektakël natyror i jashtëzakonshëm”, tha Rama.
Edhe ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj u shpreh se “kjo është një zonë me natyrë relativisht të egër por shumë e bukur”. “Kjo rrugë është shumë e rëndësishme edhe për produktet bujqësore që do të kenë mundësi të arrijnë edhe në bregdet. Kanë një mjaltë të mrekullueshëm dhe kjo afërsi me detin do të ndihmojë shumë”, tha ajo.
Loti 3 i kësaj rruge përmbyll dhe bën lidhjen deri në bregun e detit pranë Borshit dhe është një segment prej 24 km që lidhet me rrugën nacionale në Qeparo.
Është rrugë e re që nuk ka ekzistuar më parë dhe lidh Labërinë me Bregun dhe në harkun kohor të një ore lidhet Tepelena me Borshin. /atsh