“Përgjegjësia ime si Kryetar i Kuvendit nuk më lejon t’u jap mundësi keqbërësve për të sulmuar institucionet e shtetit dhe nxirë për herë të dytë imazhin e Shqipërisë”, tha Ruçi, ndërsa drejtoi thirrjen për maturi dhe bashkëpunim mes palëve politike.
Ruçi tha se ka vendosur anulimin e seancës duke pasur parasysh apelin e partnerëve ndërkombëtarë dhe informacionet e inteligjencës dhe Policisë së Shtetit për protestën e nesërme.
Mazhoranca, tha ai, “ka për detyrë të mbrojë stabilitetin e vendit dhe procesin e integrimit të Shqipërisë, qytetarin, turistin, investitorin e konsumatorët”.
“Ne i krijojmë opozitës hapësira kohore reflektimi dhe mundësi rikthimi në rrugën e duhur.
Nuk e gjykoj të udhës që nesër një pjesë e deputetëve të jenë brenda sallës dhe një pjesë tjetër përballë sallës së Kuvendit. Salla është e të gjithëve”, tha Ruçi.
Ai solli në vëmendje zhvillimet gjatë protestës së dhunshme të opozitës në 16 shkurt, ndërsa tha se po ndjek me shumë vëmendje dhe shqetësim qëndrimin e kolegëve të opozitës pas protestës dhe vendimeve të grupeve parlamentare PD dhe LSI për djegie të mandateve parlamentare.
“Jemi të gjithë dëshmitarë të një momenti acarimi politik, që javën e fundit i ka kushtuar shumë vendit. Pamjet e trishtueshme të dhunës në godinën e qeverisë bënë xhiron e botës. Kush nuk na do të mirën si vend fërkoi duart. Ndërsa kush ka bërë plane për të ardhur dhe kaluar pushimet në verën e ardhshme në Shqipëri, padyshim është stepur”, tha Ruçi.
Ruçi tha se janë për t’u përshëndetur qytetarët që demonstruan pakënaqësinë e tyre me vetëpërmbajtje dhe djemtë dhe vajzat në uniformë që dëshmuan profesionalizëm.
“Qëllimi aspak ogurmirë i nxitësve të dhunës nuk u përmbush. Institucionet e shtetit u mbrojtën me profesionalizëm dhe asnjë protestues nuk u lëndua fizikisht apo të humbte jetën”, tha Ruçi, ndërsa vlerësoi edhe lidershipin e urtë dhe të mençur të ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Pamjet e dhunës, sipas tij, kanë edhe një pasojë të dëmshme për proceset integruese të vendit, për çeljen e negociatave. “Negociatat janë në pikëpyetje për shkak të rrethanave apo qëndrimeve politike të një vendi të caktuar dhe kjo është e kuptueshme, por të vihen në pikëpyetje për rrethana e qëndrime politike brenda vendit, kjo është e pajustifikueshme. Personalisht, më vjen keq që partnerët tanë ndërkombëtarë janë detyruar të mbajnë qëndrime të forta ndaj opozitës”, tha Ruçi.
Ai u shpreh jashtëzakonisht i shqetësuar për këtë situatë, ndërsa theksoi se “nuk do të donte kurrë realizimin e skenarit të paralajmëruar nga vetë opozita për djegie mandatesh”.
“Një opozitë që vetëvritet politikisht i bën dëm shumë të madh vendit. Mesazhet e djeshme të SHBA dhe BE kanë lënë shijen e hidhur të një vërtete shumë të papëlqyeshme. Një skenar i tillë është një lloj kamikazllëku politik që hedh në erë të zotët e punës, por dëmton rëndë tërë mjedisin tonë dhe raportet e të tjerëve me këtë mjedis”, tha Ruçi.
Sipas tij, “ultimatumet nuk janë demokratike dhe pushteti nuk merret në tavolinë”.
“Opozitë më të garantuar për lirinë e saj të shprehjes sesa kjo e sotmja nuk ka pasur ky vend. Prej 5 vitesh e gjysmë kjo opozitë gëzon kohën e barabartë të fjalës mes shefit të qeverisë dhe atij të opozitës dhe shpenzon kohë parlamentare një orë e gjysmë më shumë se mazhoranca”, tha Ruçi.
Që opozita kërkon karrigen e qeverisë dhe që kërkon zgjedhje të parakohshme, kjo sipas Kryetarit të Kuvendit është normale, por që të synojë pushtetin në tavolinë dhe për këtë të hedhë në erë rrugët e jetës demokratike, kjo nuk është normale.
“Si mundet opozita të braktisë detyrën dhe të lërë zgjedhësit e saj pa zë në Kuvend? Si mundet të pretendojë se debati do të zhvillohet me mjetet e rrugës? Si mundet opozita të bëhet objekt mesazhesh tejet kritike të partnerëve tanë strategjikë, si SHBA dhe BE?”, pyet Ruçi. /atsh