Ruçi: Respekti dhe nderimi për dëshmorët është shenjë e pjekurisë dhe fuqisë së një kombi. Respekti për të kaluarën është një investim për të ardhmen

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, ka sot një mesazh me rastin e 5 majit, Ditës së Dëshmorëve të Atdheut.

Në mesazhin e tij, Ruçi thekson se Shqipëria nderon sot të rënët për atdheun, ndërsa shton se respekti dhe nderimi për dëshmorët është shenjë e pjekurisë dhe fuqisë së një kombi.

Mesazhi i plotë

Çdo 5 maj, Shqipëria, si të gjithë kombet e qytetëruar nderon dëshmorët e saj. Respekti dhe nderimi për dëshmorët është shenjë e pjekurisë dhe fuqisë së një kombi. Respekti për të kaluarën është një investim për të ardhmen.

Sot përulem me respekt para dëshmorëve që ranë për pavarësinë e Shqipërisë.

Para patriotëve që kanë dhënë jetën për mbrojtjen e integritetit territorial, trojeve, lirisë e pavarësisë së atdheut.

Para 28 mijë dëshmorëve partizanë që dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë. Sot kujtoj vizitën në familjen e pasardhësve të njerit prej tyre, i cili me kursimet e fituara nga jeta në mërgim bleu një maliher dhe doli malit partizan.

Përulem para kujtimit të luftëtarëve partizanë të huaj që ranë për çlirimin e Shqipërisë.

Para dëshmorëve të Shqipërisë që dhanë jetën duke luftuar për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Para oficerëve e policëve dëshmorë të rënë në krye të detyrës, të cilët i kujtojmë e nderojmë bashkë me fëmijët dhe familjet e tyre.

Para vajzave e djemve të Shqipërisë që kanë dhënë jetën gjatë misioneve paqeruajtëse të NATO-s, në mbrojtje të lirisë së popujve të tjerë dhe të mbrojtjes së paqes e sigurisë nga terroristët.

Para dëshmorëve të kohës sonë që kanë rënë në krye të detyrës për mbrojtjen e jetës së qytetarëve nga krimi dhe mbrojtjen e pronës publike nga fatkeqësitë natyrore. Çdo kohë ka dëshmorët e saj dhe ne i nderojmë ata duke punuar çdo ditë për idealet e tyre, për Shqipërinë.

Dëshmorët nuk janë më fizikisht. Por me ne janë idealet dhe vepra e tyre. Nuk janë më nënat e dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, por janë mbesat, nipat e stërnipat e tyre. Janë fëmijët e oficerëve dhe policëve të rënë në krye të detyrës. Janë fëmijët, nënat, motrat e vëllezërit e vajzave e djemve të rënë për lirinë e kombeve të tjera, të rënë në luftën kundër terrorizmit e krimit, në luftën për mbrojtjen e qytetarëve dhe pronës publike.

Unë ndjehem krenar që kontribuova që Kuvendi i Shqipërisë të përmirësojë ligjin “Për statusin e dëshmorit të atdheut”, për të respektuar e nderuar më shumë dëshmorët, veprën, vlerat, familjet dhe pasardhësit e tyre./NOA.al

Loading...