Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, duke komentuar këtë vizitë ka thënë se Rusia është afër njohjes së Kosovës.
“Ne jemi me Amerikën, me perëndimorët. Fqinji jonë në pjesën veriore po pretendon të jetë mire me partnerët tanë por po i hap dyert Rusisë”.
“Në vizitën e Vladimir Putinit në Serbi, pas takimit me presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, janë të njëjtat mesazhe që i janë thënë edhe presidentit tonë, të cilat janë thënë edhe në Serbi”.
“Rusia është duke shkuar drejt njohjes së Republikës së Kosovës”.
Veseli pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka thënë po ashtu se Kosova në vitin 2019 do të jetë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, njofton Klan Kosova.
“Qytetarët e Republikës së Kosovës le të jenë të sigurt se ne do të veprojmë çka është në interes të tyre, pozita dhe opozita mund të mos merremi vesh sepse në politikë janë edhe aktrimet për të përfituar më tepër favore elektorale por vendimi jonë do të jetë ai që do të jetë i qytetarit të vendit tonë”.
“Opozita duhet t’i bashkëngjitet obligimeve institucionale që i ka por nëse nuk i bashkëngjitet do të vendosë sovrani”.
“Nuk do të ndalemi, do të futemi në procesin e dialogut dhe do të marrim vendime që sovrani do t’i japë vulën e vet përfundimtare – referendumi i qytetarëve tanë”.
Kryeparlamentari ka folur edhe për taksën 100 % ndaj produkteve me origjinë serbe duke thënë se një masë e tillë nuk lëkund partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Taksa 100 % i ka bërë mirë Serbisë dhe ka qenë reaksion i agresivitetit që e ka sjellë Serbia. Serbia për një kohë të gjatë ka qenë tepër agresive dhe nuk e ka respektuar Kosovën”.
“Do ta bëjmë çdo ditë që Serbia ta ndjejë dhe respektojë këtë shtet tonë të pavarur dhe sovran. Çdo vendim dhe veprim yni nuk është i drejtuar kundër asnjë qytetari dhe komuniteti etnik”.
“Të jenë të sigurt, në gjithë jetën time politike ka veç një partner për vendin dhe kombin tim – Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
“Nuk do ta dëmtojmë këtë partneritet dhe as nuk do të lejojmë që dikush të na dëmtojë. Ne jemi vend perëndimor dhe vend krenar që kemi raporte të shkëlqyeshme me SHBA-të”.
“Letra e presidentit Donald Trump, qëndrimet e këtij ambasadori të SHBA-ve që bart qëndrimet e SHBA-ve janë mesazhe që i marrim shumë seriozisht dhe janë mesazhe të miqësisë tonë të përbashkët, partneriteti me SHBA-të do të jetë i përjetshëm”.
Veseli ka deklaruar po ashtu se nuk ka asnjë kërkesë nga SHBA-të për largimin e taksës 100 %.
“Ka një kërkesë që t’i jepet perspektivë dhe fuqi Kosovës, në procesin e dialogut. Nuk ka kërkesë për heqjen e taksës, ka kërkesë që t’i jepet mundësi procesit të dialogut në të cilin do të veprojmë bashkërisht”.
“Shqetësimet e SHBA-ve do të jenë edhe shqetësimet tona. Serbia duhet ta dijë, ky vend është shtet i pavarur dhe sovran, vendimet i marrim sovrane dhe mos t’i maltretojë qytetarët tanë – një qytetar i diasporës për të kaluar nga Serbia, nëse vjen nga Maqedonia, nuk e lënë të kalojnë”.
“Na kanë lënë diasporën tonë të presin nga 7-8 orë në mes të dimrit. Ne nuk do ta bëjmë asnjëherë një veprim të tillë por do t’u tregojmë çdo ditë ‘mos na ngacmoni se nuk lejojmë’”./Klan Kosova