Parë në një analizë më të detajuar paketa anti-shpifje e miratuar nga Këshilli i Ministrave një ditë më parë, qartazi parashikon masa të ashpra ndaj portaleve “online”, të cilat “mbajnë frymën gjallë” vetëm nëpërmjet lajmeve “fake news”.
Ndryshimet në ligj parashikojnë gjoba dhe penalizime të rënda deri në mbylljen e portaleve.
Por për të mbërritur deri te masat e ashpra, pra mbylljen e këtyre portaleve, do të duhen disa hapa.
Fillimisht projektligji parashikon legalizimin e portaleve, evidentimin e pronësisë, dhe ç’është më e rëndësishmja burimet e financimit.
Do të jetë këshilli i ankesave te AMA ai që do të kujdeset për të shqyrtuar ankesat që bëhen për publikimet “online”.
Personat e cënuar, sipas projektligjit të ri, ankohen në Këshillin e Ankesave pranë “AMA-s”.
Nëse media “online” nuk bënë sqarimin, atëherë merren masa duke vendosur gjoba që nisin nga 100 mijë deri në një milionë lekë.
Gjoba fikse prej 800 mijë lekësh parashikohet kur ankesa e qytetarit nuk merret në konsideratë nga Operatori i Publikimit të Shërbimit Elektronik.
Proejktligji parashikon rastet kur media “online” mbyllet për periudha të ndryshme.
Nëse në një vit publikon 3 “fake news”, bllokohet 24 orë, nëse bënë 4 “fake news”, bllokohet një javë dhe me 5 “fake news”, bllokohet për një vit.
Paketa anti-shpifje pritet shumë shpejt të kalojë, për votim edhe në Kuvend.
Masat që parashikon projektligji anti-shpifje:
-Pezullim/bllokim të aksesit në internet, për një afat 24 orë, nëse brenda një viti kalendarik ka kryer 3 kundërvajtje administrative të parashikuara nga ky ligj.
– Pezullim/bllokim të aksesit në internet për një afat 7 ditor, nëse brenda një viti kalendarik ka kryer jo më pak se katër kundërvajtje administrative.
– Pezullim/bllokim të aksesit në internet për një afat njëvjeçar, nëse brenda një viti kalendarik ka kryer jo më pak se 5 kundërvajtje administrative të parashikuara nga ky ligj.
– Bllokimin përfundimtar/mbylljen e aksesit të shërbimit të publikimit elektronik në territorin e Republikës së Shqipërisë nëse nuk marrin në shqyrtim ankesat e përcjella prej Këshillit të Ankesave, më shumë se katër herë gjatë një viti kalendarik”.
Gjobat: – Me gjobë nga 100 000 lekë deri në 1,000,000 lekë kur nuk respekton detyrimet e nenit 33/1 të këtij ligji.
– Me gjobë në masën 800, 000 lekë kur nuk respekton vendimin e Këshillit të Ankesave apo të drejtën e përgjigjes, sipas nenit 53/1 të këtij ligji”.