Tre qytetarë kanë humbur jetën në Greqi pasi janë prekur nga Ethet e Nilit Perëndimor.
Edhe pse vendi fqinj është prekur nga ky lloj virusi, ekspertë të Institutit të Shëndetit Publik deklarojnë se në Shqipëri, pavarësisht se janë kryer testime të rasteve të dyshuara, asnjë prej tyre nuk ka rezultuar i prekur.
“Ne kemi kryer testime dhe nuk ka rezultuar asnjë rast. Një vit më parë kemi patur vetëm një rast.
Kjo sëmundje përhapet nga mushkonja dhe ne jemi në monitorim të vazhdueshëm”, u shpreh Bino.
Ndër të tjera, ajo tha se Ethet e Nilit janë vdekjeprurëse kur pacienti preket nga forma e rëndë e saj, e cila shkakton infeksion të trurit meningit apo encefalit, teksa shtoi se pacienti mund të kalojë edhe një formë të lehtë.
“Forma e lehtë ka temperaturë, dhimbje muskulare dhe disa puçrra të kuqe. Ndërsa forma e rëndë prek sistemin qëndror nervor,” deklaroi Bino.
Nga Ethet e Nilit janë prekur përveç Greqisë edhe vende si Italia, Rumania dhe Serbia.