Durimshume dhe te padurueshem
Do të dëshironim që në emërtimin tënd “popull shqiptar” të përfshiheshin të gjithë ata që flasin të njëjtën gjuhë, shqipen,që kanë zakone, tradita, rite e rituale të njëllojta, që tregojnë virtyte të larta njerëzore si atdhetaria, humanizmi,dashuria për punën,që banojnë në trojet shqiptare…por ç’e do se mbijnë edhe disa, të paktë por shqetësues, të etur për pushtet, duke dalë kësisoj nga rreshtat e duke synuar që të ta hipin ty në kurriz, o popull.
Por ti nuk i zbon, nuk i sikteris. Sa i fortë paske qenë more popull! Si i duron tërë këta zokopurë që të mashtrojnë ditë e natë, o i gjori popull!? Ku e gjen gjithë atë forcë vallë, për të dëgjuar gënjeshtrat e ca deputetëve nga njëra anë dhe mjaft qeveritarëve nga ana tjetër!? Po “liderët magjepsës” të opozitës së shkrirë e asaj të ngrirë, asaj të vetëdjegur dhe asaj të paprovuar për ato që thonë e bëjnë, si i shikon në sy xhanëm?
Ata janë aq të padurueshëm sa shok kanë vetëm veten. Ata djegin objekte publike, bllokojnë rrugët, prishin rregullin, plagosin njerëz, vjedhin…ti i vështron dhe hesht! Madje jo rrallë edhe duartroket! Ku e gjen këtë durim more popull! Taksat shtohen e rriten shpesh e më shpesh e ti nuk bëzan fare,o i shkreti popull! Pensionet rriten dy presje tetë përqind në vit e çmimet ngrihen dhjetë përqind.Por ti duron se duron, more popull!Kam dëgjuar se nga gjiri yt ka dalë aksioma:»Dy gjëra ka të sigurta njeriu i sotshëm: taksat dhe vdekjen! Këtë e ke thënë bukur, por a ta dëgjojnë vallë taksavënësit e qeverisë? Vallë a të dëgjon Edi Rama? Me që erdhi fjala, si e duron kryeministrin kur bën shaka e hedh batuta, pikërisht atëkohë që ti nuk ke gjë për të ngrënë në darkë!?
Po mirë, o i shtrenjti ynë popull, po A.Tufën me shokë që heronjtë e luftës na i quan kriminelë, si e duron ? O bobo, atyre mos u qoftë thënë, se duan ta bëjnë ta bardhën të zezë.E gjetshin siç e gjetën bashkëpu-nëtorët e armiqve nazistë e fashistë gjatë luftës antifashiste nacional Çlirimtare!O popull, po Sali Berishën si e duron akoma kur del si plak gërmuq(aspak nuk dua ta fyej, kur flas realitetin) në mes të protestuesve,aty ku gjen edhe të droguar edhe të pispillosur, edhe hallexhinj edhe sehirxhinj, shumë të gënjyer e jopak gënjeshtarë.
E pikërisht atje, ai sokëllin i ngjirur se “do të tërheqë zvarrë Edi Ramën», se «nesër do të fillojë lufta civile»!? Pastaj bën thirrje “të
nxjerrim djemtë tanë nga burgu”, ndonëse ata bënë vjedhjen më spektakolare të këtij dhjetëvjeçari!? Kaq të padurueshëm janë bërë një takëm “udhëheqësish” sa kur ua sheh qafat e fryra,fytyrat pa rrudha, flokët me llak e kollarot me ngjyra, ty të vijnë zorrët tek goja. Po ti o popull,gjene,hesht dhe duron!
Po nga të buron ky durim,o i shenjtëruari popull!? Hasëll,hasëll kur ligjërojnë ca femra që s’ta nxë goja tvu thuash “zonja”, për të drejta të shkelura,në shkolla, administratë etj. etj., duhet një mal me durim ti
dëgjosh edhe ato. Shumëkujt i dhemb koka, kurse ti o popull, ngre pak kokën si luani krifën, buzagazesh ironikisht dhe përsëri hesht! Duron! Le pastaj gënjeshtrat, shpifjet, broçkullat e medias së shkruar që nuk kanë anë e fund!
Po ti, ama, vetëm i duron! Madje i lexon me kujdes, me dhe pa syze.Pastaj i komenton ku me shpresë, ku me shpoti.E si mund të durohen ca fytyrëpërlyer dhe ca të tjerë gojëshqyer si F.Lubonja, A.Bushati, Y.Rakipi, B.Fevziu, kur tregojnë përralla bajate kundër sistemit socialist dhe vetëm nxijnë, nxijnë, nxijnë si të djeshmen ashtu të sotmen dhe të ardhmen. E ti, o popull, përsëri ata i duron me qëndrueshmëri të çuditshme.Çfarë zemre paske, more popull!?
Po ata që venë e të shesin ty dhe copa të vatanit tënd tek të huajt, si i honeps vallë? Vrasje, vdekje, vjedhje dhe zgjedhje, zgjidhje, të përsëritura kaq e kaq herë- këto janë zgjedha në zverkun tënd, o popull. Ky është refreni “V” dhe “Z” i jetës tënde,tash 29 vjet! Por ti i duruake edhe këto!I mahnitshëm qenke,o popull! E kush mbeti pa folur në emrin tënd more
popull, sikur gjoja lufton për të drejtat e tua! Sikur qan hallet e tua…Dhe ti, edhe pse realisht asgjë s’fitove, përsëri
e përsëri durove!
“Eh sa gjëra janë bërë e do të bëhen në emrin tënd more popull”! Këtë e kanë thënë paraardhësit tanë,e ne po i vuajmë këto në shpirt.E ti, o popull, duron…!
Deri kur kështu?
Ilmi Qazimi