Moderatori dhe gazetari Saimir Kodra ka deklaruar mbrëmjen e sotme se e ka kaluar sëmundjen e koronavirusit që në muajin janar. Kodra tha se këtë e ka zbuluar përmes kryerjes së analizës së anti-trupave ndërsa ka treguar pse sipas tij shërben gjithë kjo periudhë karantine.
“Për t’ju zbuluar një sekret, në analizat që bëra të anti-korpeve, jam një person që e kam kaluar Covid-in. Pra e gjithë kjo situatë karantine që rrijmë mbyllur është për të transmetuar të gjithën. Që në janar e kam kaluar”, është shprehur gazetari Saimir Kodra në emisionin që ai drejton.
Deklarata e fortë e moderatorit Kodra vjen pas shumë zërave se virusi covid 19 ka qarkulluar në vend shumë javë para konstatimit me 9 mars të këtij viti të ashtuquajturit pacienti zero.
Gjithashtu dhe zëra zyrtarë të OBSH-së shprehen se të infektuarit në të gjithë botën mund të jenë në shifrën 230 milionë persona, ndërsa numri zyrtar është rreth 2.4 milionë persona. Deri më tani kanë ndërruar jetë rreth 170 mijë vetë.
Në Shqipëri prej datës 15 mars vendi ndodhet në izolim të plotë duke paralizuar gjithë jetën socio-ekonomike. Deri më tani kanë ndërruar jetë 27 persona, por qeveria ka deklaruar se në javët në vazhdim do të nisë hapja pjesë pjesë e shumë aktiviteteve.