Saimir Tahiri në Gjykatën e Lartë, caktohet relatori për çështjen e ish-ministrit të Brendshëm

Çështja e bujshme e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit pritet që shumë shpejt të shqyrtohet në Gjykatën e Lartë. Brenda korrikut do të ketë gjykim pasi në Gjykatën e Lartë është kompletuar trupa e nevojshme dhe kolegji penal.

Tashmë në këtë gjykatë është përcaktuar relatori i ri i çështjes, i cili do të jetë ish kreu i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni. Më herët relatori i çështjes ka qenë Ilir Panda.

Tahiri u dënua nga Krimet e Rënda për shpërdorim detyre me 3 vite shërbim prove, ndërsa Apeli i posaçëm e prishi vendimin dhe e ktheu për rigjykim në shkallën e parë. Më pas ish ministri bëri rekurs dhe dhoma e këshillimit e Gjykatës së Lartë e ka pranuar për ta gjykuar. Nuk dihet ende se çfarë vendimi do të marrë Gjykata e Lartë, që mund të lërë në fuqi vendimin e Apelit, mund ta rikthej çështjen sërish për rigjykim në Apel, ose mund ta gjykojë vetë.
Ish ministri i Brendshëm u dënua me 3 vjet shërbim prove, por më pas Gjykata e Apelit e dërgoi sërish çështjen për rigjykim. Tahiri u akuzua për tre vepra të rënda penale “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’. Akuza e argumentuar nga prokuroria ishte për përfshirjen e ish-ministit në 4 episode trafikimi droge nga 2013-2015, por pa dhënë detaje për rolin konkret të tij.

Në vendimin e arsyetuar të Gjykatës, në analizë të të gjitha provave të paraqitura nga Prokuroria, nuk rezultonte asnjë fakt, që ta përfshijë ish-ministrin në trafikun e drogës dhe bashkëpunimin me grupin kriminal të Habilajve, kryetari i të cilëve është Mojsi Habilaj, i arrestuar dhe në gjykim në Itali. Po ashtu, thotë gjykata në arsyetimin e saj, pas përgjimeve edhe të prokurorisë italiane ku Habiljat diskutojnë për dhurata që do ja japin ministrit, çmohet fakti se nuk ka prova të mjaftueshme për t’i lidhur këto dhurata apo shuma monetare se do të shkonin tek Tahiri. Në bazë të këtyre fakteve gjykata vendosi dënimin me 3 vite shërbim prove.

Loading...