Në krye të kurorës së lavdisë, ka qenë kapedani Birbil Shakua, luftëtari anti-osman i shek. të XIX, që u var në litar së bashku me luftëtarët e tjerë nga Progonati.
Kënga për ta ka mbetur si një poemë epike: Kurveleshi gurë-gurë,/ Shtatë pashallarë ç’u shkulë,/ Në Raxhin seç u ngulë,/ Duam Birbil e Resulë,/ I duam se s’është punë,/ Do ta bëjmë të dalë ujë,/ Birbil e Resul Sejdiu,/ Në dorë palla ç’u ngriu/ Birbil Shakua me pallë,/ Rexhinit ja ngrinte namë,/ Doli mars e hyri prilli,/ Pse s’u dëgjua Birbil,/ Në Janinë ç’e mban Veziri,/ Ç’pate Vezir me Birbilë,/ Për sarajet që dogj në Voshtinë,/ Rexhinit t’i vini zjarrë,/ Gjithë Kurveleshit mbanë,/ Lanet paç Xhelil Voshtina,/ Që vare 13 trima…
Pikërisht në këtë truall heroizmi, nga fshati Rexhin dolën edhe dy intelektualë të shquar e Mësues të Popullit si Shuko Dalipi e Sali Asllani. të ekzekutuar nga reaksioni i huaj që nuk donin përhapjen e gjuhës shqipe në Shqipëri. Të dy martirët u ekzekutuan brenda një jave, më 10 janar 1920 Sali Asllani, dhe më 14 janar 1920 Shuko Dalipi.
Ajo që duam të theksojmë në këtë shkrim, është origjina e patriotit dhe intelektualit Sali Asllanit, që njihet me mbiemrin Nivica.
Pavarësisht mbiemrit, ai është nga Rexhini me mbiemrin Asllani, sikundër e këndon edhe kënga: Çdo të them Rexhinë e gjorë/ Ke të drejtë që mban zi/ Ç’e gjeti Sali Asllanë/ Trimin me dituri/ Pse të vritej ai djalë/ Lipsej sot për Shqipëri/ E shkreta Gazeta Popull/ Vuri kokën e mban zi/ I kanë vrarë të zonë/ vështron e s’sheh në sy/ në më pafsh Kol Ashiku/ ty e kush të vuri ty/ pse ma shkatërrove Rexhinë/ dhe Kurveleshin fatzi.
Sali Asllani lindi me 1890 në fshatin Rexhin. Babai i tij Asllan Xhebraj, kishte dy vajza dhe Saliun e vetëm. U mundua t’i jepte shkolle djalit të tij, sepse që i vogël, ishte shumë i zgjuar.
E dërgoi dy vjet në një shkollë në Vlorë, pastaj në Manastir, e më vonë në shkollën Zosimea të Janinës. Atje ishte bashkë me disa shokë nga fshati Nivicë.
Në shkollën e Janinës bëhej mësim në dy gjuhët, turke dhe greke, kurse gjuha shqipe mësohej fshehurazi. Saliu u shqua si nxënës shumë i mirë dhe jepte mësim në gjuhën shqipe ilegalisht.
Më 1909, kur mbaroi shkollën e Janinës, Saliu filloi të jepte mësim në fshatin Rexhin, Nivicë e Gusmar, Më vonë Sali Asllani (Nivica) fillon mësues në gjimnazin e Durrësit.
Një ditë i thotë drejtori i shkollës, bashke me shefin e policisë që ishte turk, për të dhënë mësim në gjuhën shqipe, me shkronja arabe. Saliu nuk pranon.
Në shtator 1911 Sali Asllanin e internojnë në Stamboll, ku gjeti një ndihmë dhe përkrahje nga deputeti Ismail Qemali dhe patriotë të tjerë shqiptarë.
Me kthimin nga internimi, në mars 1914, mbërrin në Vlore dhe fillon të punojë në gazetën “Populli”, bashkë me patriotin Muço Qulli, i cili drejtonte gazetën.
Saliu ishte jo vetëm mësues, por edhe gazetar i shquar.
Në gusht 1914 mbyllet gazeta “Populli” edhe si pasojë e pushtimit të Shqipërisë së Jugut nga shovinistët grekë. Më 17 korrik 1915, pabesisht malazeztë pushkatojnë dy shokët e ngushtë të Saliut, Muço Qullin dhe Çerçiz Topullin.
I detyruar nga kjo situatë, shkon në vendlindje dhe pas një muaji e thërrasin në Berat si drejtor i arsimit për qarkun e Beratit.
Nga fundi i vitit 1917, kur u tërhoq Austriaku nga vendi ynë, me shkresë të Luigj Gurakuqit që drejtonte arsimin në atë kohë, Saliu shkon në Shkodër dhe fillon punë si inspektor arsimi.
Në vjeshtën e vitit 1918, pasi erdhi shtypshkronja e re nga Vjena, filloi të dalë përsëri gazeta “Populli” me kryeredaktor Sali Asllanin (Nivica).
Në atë kohë u bë organ i Komitetit Kombëtar të Kosovës të drejtuar nga Hoxhë Kadria e Hysni Curri me qendër në Shkodër.
Në darkën e 10 janarit 1920, kur Sali Asllani (Nivica) dilte nga gazeta, një njeri i paguar, Kol Ashiku, e qëllon me 6 plumba në trup. Kjo ndodhi në afërsi të Konsullatës Italiane, ku Kolën e prisnin vëllai i tij dhe prifti katolik, Anton Ashiku.
Më 11 janar 1920, Saliu në moshën 36 vjeç u varros në Shkodër me ceremoni madhështore.
Kështu është historia e hidhur e djalit nga Rexhini, Sali Asllani (Nivica)./Çobo Kadëna