Ish-kryeministri Sali Berisha zhvilloi këtë të martë foltoren e radhës, në qytetin e Kavajës. Në fjalën e tij ish-lideri demokrat deklaroi se ai do të jetë pjesë e garës për kreun e Partisë Demokratike, ndaj ftoi anëtarët e PD që të firmosin për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar për të shkarkuar Lulzim Bashën.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Shkarkon Nokën se nuk i bindet. Në një tentativë të fshehtë me Ramë po realizon marrëveshjen e re të turpit. Që të gjitha marrëveshjet i përfitoi Rama. Basha për të mbuluar dramën e tij me humbjen e zgjedhjeve vrapon tek marrëveshja.Nga kjo foltore iu bëj thirrje deputetëve, refuzoni çdo marrëveshje me Ramën se përgjegjësia do të jetë e madhe, Rama është i pabesë njëlloj si pengu i tij, ata nuk njohin marrëveshje.
Duhet të biem dakord për disa gjëra, për ata që mbështesin Bashën: A mund të mbështetet një njëri që ka regjistruar 4 humbje njëra pas tjetrës. Kryetari ynë nuk jep dorëheqje, nuk i jepet besimi këtij njeriu. Unë kërkoj ndjesë para jush sepse nuk duhet të isha pajtuar me të. Në 2017 kur i kërkova që të jepte dorëheqjen, duhet të dilja në fushë pranë jush.
Së dyti iu them se të vendosësh besimin tek një i pabesë nuk është mençuri sepse ai nuk mund të udhëheqë kurrë. Sot nuk i besojnë as 5% e zgjedhësve, nuk i besohet pengut, është i pashpresë dhe ndaj ftoj cdo delegate të Kavajës, të firmosë për mbledhjen e Kuvendit dhe ndryshimet statutore, të firmosë që të rikthejë referendumin, të firmosë që të hapim një garë në të cilën garantoj se çdo njeri që do të hyjë në garë do të jetë i lirë, mes tyre do të jem edhe unë.