Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka folur për Deutsche Welle një ditë pas publikimit të përgjimeve të prokurorisë nga gazeta gjermane “Bild” ku zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste flisnin me personazhe të botës së krimit dhe për presione mbi votuesit para zgjedhjeve të përgjithshme të 2017.
“Unë nuk besoj që një publikim i tillë prish imazhin e Shqipërisë, sepse Shqipëria është shumë më e madhe se sa një rast i shkëputur i një publikimi të një përgjimi të caktuar. Asnjë lajm sado i vogël të jetë që s’është pozitiv, nuk na pëlqen e si pëlqen askujt, por besoj që çështja ka nevojë të merret me qetësinë e duhur se bëhet fjalë për një çështje që është në proces hetimor”, deklaroi Lleshaj.
Sipas tij, “është thjesht një rrjedhje e pa autorizuar, nga një proces hetimor në zhvillim dhe duhet të presim fundin. Nuk duhet të kërcejmë të konkluzionet shumë herët se kam frikë se i bëjmë dëm të gjithë procesit”.
I pyetur nëse inkriminojnë edhe politikën këto përgjime, Lleshaj tha se përgjimet nuk janë prova por indicie që të çojnë në prova, ndaj duhet pritur sqarimi nga organet përkatëse.
“Unë mendoj se ajo që është publikuar në mediat gjermane është pjesë e një dosje hetimore që po zhvillohet, pra bëhet fjalë për rastin konkret, dhe në të gjithë kuptimin e së drejtës përgjimet nuk janë prova janë thjesht indicie që të çojnë të provat, kështu që ne duhet të presim sa rasti të sqarohet përfundimisht nga organet përkatëse ligjore që po hetojnë”, deklaroi Lleshaj për DW.