Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka reaguar për ngjarjen e rëndë që ka ndodhur në Elbasan, ku si pasojë e një shkëmbimi me armë zjarri ka mbetur i vdekur Pjerin Xhuvani.
Lleshaj thotë se kjo ngjarje ka të gjitha tiparet e një vrasjeje të paguar dhe të paralajmëruar politike.
Reagimi i plotë:
NDALONI ÇMENDURINË!
Krimi i sotëm në Elbasan duket se i ka të gjitha tiparet e një vrasjeje të paguar dhe të paralajmëruar politike.
Asgjë nuk mund të justifikojë një turp të tillë.
Në këto çaste tronditëse është me shumë rëndësi që:
Prokuroria të marrë masa energjike për të ndaluar urgjentisht urdhëruesit dhe mbështetësit e kësaj vrasjeje si dhe të atyre që nxisin për të tjera.
Nuk mjafton kurrësesi vetëm arrestimi i ekzekutorëve të paguar për këtë gjë, të cilët janë jo vetëm kriminelë, por edhe viktima të verbra të punëdhënësve të tyre partiakë.
Partitë politike të distancohen qartë nga aktet e dhunës dhe të ndërhyrjes së paligjshme në zgjedhje si dhe të kontribuojnë për qetësimin e situatës.
Personat me përgjegjësi të drejtpërdrejtë politike, në emër e për llogari të të cilëve kanë vepruar vrasësit, duhet të largohen një minutë e më parë nga gara zgjedhore me dorëheqje apo përmes ndërhyrjes së organeve përgjegjëse për këtë.
Media të pengojë dhe parandalojë përhapjen e zërave të çmendur që bëjnë thirrje për dhunë dhe destabilizim.
Qytetarët të ndahen nga përfaqësuesit partiakë që inkurajojnë dhunën për qëllimet e tyre të mbrapshta.
Shqipëria është në një moment të rëndësishëm politik. Askush nuk mund të lejohet që për qëllime të ulta personale të përdhosë zgjedhjet dhe të gjakosë vendin dhe të ardhmen e tij.