Saranda ndizet me ngjyra folku!

Nga Sejmen Gjokoli
Ka qenë e veçantë dita e sotme në Sarandë, më saktë në Pallatin e Kulturës të këtij qyteti.
U mblodhën këtu dhe u ngjitën në skenë grupet folklorike të shkollave të mesme të ardhura ngs Delvina, Konispoli, Livadhjaja si dhe shkollat e mesme publike e jo publike të vetë Sarandës.
I mblodhi festivali ” Gurra Fest Folk”, organizim ekskluziv i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare- Vlorë në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Rajonale.
Një festival rinor që këtë vit shënon edicionin e III-të por që edhe vjen si një manifestim i mirëfilltë folku. Vetëm me këngë e valle burimore e tradicionale me nxënës të shkollave të mesme.
Të befason dhe emocionon performanca e të rinjve festivalistë, prurjet me këngët e vallet e zgjedhura, interptetimi plot freski e origjinalitet por edhe kostumet plot ngjyra e ornamente.
Sot në Sarandë dukej se edhe sheshet, rrugët e deti vetë u përndezën nga meloditë, ritmet dhe ngjyrat e folkut, përcjellë nga të rinjtë shkollarë.
Këngë polifonike, valle popullore, melodi me instrumenta popullorë, orkestrina, këngë popullore qytetare, monofoni e ninulla, rite e motive dasme.
Të gjitha gjinitë e folkut i pamë sot në Sarandë e cila të dukej se ishte shndruar në një kala Gjirokastre në miniaturë.
Shkëlqyen gjimnazistët e Delvinës, që befasuan me polifoni brilante por që në skenë ngjitën edhe vallen me saze, edhe kërrabën e longarin, edhe sharkun e çobanit.
Plot emocione na i prunë motivet e dasmës çame të rinjtë gjimnazistë të Konispolit ku në valle dolën me nuse e dhëndërr por edhe me sufranin që t’hollën petët e bënë bakllavanë.
Jo pak befasues edhe grupi i valleve të shkollës së Livadhjase me gjerdanin plot kolorit, ngjyra e fustanellën e bardhë borë.
Plot 12 çifte valltarësh që luajn në valle plot elegancë e finesë dhe që me siguri edhe grupe profesioniste do ti kishin zili…
U ndala pak më konkretisht tek këto të tri shkolla mbasi pikërisht këto u nominuan nga juria për të qenë pjesëmarrëse në takimin final që do të organizohet në Vlorë më datën 29 mars.
Një falenderim i veçantë për të gjithë folkloristët e rinj, për drejtoritë e shkollave por edhe për Sektorin e Kulturës Kombëtare në Sarandë.
Është koha që institucionet përkatëse ti hedhin më mirë sytë nga trashëgimia kulturore shpirtërore, sidomos në brezin e ri, jo thjesht duke i nxitur me politika por edhe duke krijuar kushte e mbështetje sado modeste materiale.
“Gurra Fest Folk” është shëmbulli dhe treguesi më i qartë i vizionit por edhe vendosmërisë për të ruajtur dhe përcjellë në breza trashëgiminë që nga brezat vjen.

Loading...