Sarandë – AKU në terren për sigurinë ushqimore, asnjë tolerim për lokalet me muzikë të lartë

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi zhvilloi një takim në Sarandë, me Task Forcën për mbarëvajtjen e sezonit turistik në këtë bashki.

Ministri Çuçi kërkoi një koordinim më të mirë të punës mes të gjitha institucioneve në mënyrë që sezoni turistik në Sarandë të mos ketë probleme. Në mënyrë të veçantë ai e vuri theksin tek niveli i ndotjes akustike dhe tek siguria ushqimore.

“Nuk lejohen më zhurmat pas orës 12:00 të natës. Më shumë ne përfitojmë lavdërime dhe turistë duke kufizuar zhurmat, sesa duke i prishur qetësinë 10 apo 20 pushuesve që duan muzikë me volum të lartë. Ndërkohë 500 të tjerë që janë rreth e rrotull shqetësohen që kanë ardhur me pushime dhe nuk kalojnë asnjë ditë të qetë”, tha Çuçi.

Sa i përket sigurisë ushqimore, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural kërkoi nga inspektorët e AKU-së që t’i përmbahen planeve të tyre të inspektimit, por të veprojnë me etikë dhe qytetari.

“Duhet të veproni me seriozitetin maksimal, por me kulmin e etikës dhe edukatës. Kjo është themelore për të pasur një fytyrë të shtetit ashtu siç duhet dhe për të garantuar gjithë pushuesit. Nëse pushuesi mund të të falë disi zhurmën, kur vjen puna tek ushqimi askush nuk toleron. Prandaj duhet të jemi shumë rigoroz në këtë drejtim”, tha Çuçi.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bashkë me Ministrin e Financave dhe Ekonomisë koordinojnë Task Forcën për sezonin turistik në bashkitë Sarandë dhe Himarë.

Të pranishëm ishin prefekti i qarkut Vlorë, Flamur Mamaj, kryebashkiaku i zgjedhur i Sarandës, Ardian Gurma, si dhe drejtues të tjerë të institucioneve vendore./atsh

Loading...