Sekrete mjeshtërie/ Irena Asqeriu, “enciklopedia” e Arkivit të Filmit

Ajo është një enciklopedi lëvizëse. Nëse doni të dini diçka mbi historinë e filmit shqiptar, ajo mund t’ju thotë gjithçka.

E diplomuar për frëngjisht, e specializuar në Paris për arkivistikë, Irena Asqeriu i është kushtuar plot pasion arkivave. Prej pak më shumë se 9 vitesh punon në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, ku është duke bërë një punë të jashtëzakonshme në mbledhjen, sistemimin, dokumentimin, informatizimin e arkivave të këtij institucioni. Veçse kjo punë për të nuk është një rutinë. Ajo e ka një arsye më shumë pse është e dashuruar pas filmit.

Kur nisi të punonte për së pari në AQSHF, pasi shumë vite pune në Arkivin Qendror Shtetëror, detyra e parë ishte të merrej me protokollin dhe shkresat që vinin nga institucionet e ndryshme, përpunimin tekniko-shkencor të dokumenteve dhe krijimin e njësive të ruajtjes, për të lehtësuar inventarin. Por më pas në dorë iu lanë shumë “çelësa”. Ditë pas dite ajo nisi të zbulojë thesaret që fshiheshin aty, e bashkë me të edhe vetë institucioni.

Kur e takojmë në ambientet e AQSHF-së, së pari na drejton tek Bblioteka e pasur me libra dhe katalogë kinematografikë në gjuhën shqipe, por edhe të huaja, që vijnë nga festivale të ndryshme, nga FIAF, Organizata Ndërkombëtare e Arkivave të Filmit, ku Shqipëria është bërë anëtar me të drejta të plota që në vitin 1970.

“Këtu kemi edhe skenarin e vitit 1963 të Ismail kadaresë, që nuk është realizuar. Është “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. 12 vjet më pas, në vitin 1975 u realizua një film i Radio Televizionit Shqiptar, me regji të Vladimir Priftit dhe në vitin 1989, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” u shndërrua në “Kthimi i ushtrisë së vdekur” nga Dhimitër Anagnosti. Ky është skenari, mbi të cilin janë bërë përpjekje për të realizuar më shumë filma. Ka qenë një tjetër film italian dhe një tjetër shqiptaro-italo-francez, që u anula. Kam edhe intervistat e stafit që erdhi në Shqipëri”, thotë ajo, teksa të shpjegon me detaje punën që bën dhe përmbajtjen e çdo dosjeje.

Jo gjithçka që gjendet në atë bibliotekë ajo I ka gjetur në ambientet ku punon. Plotësimi i fondit është kthyer në qëllim për të, ndaj edhe nuk lë rast pa mbledhur dhe pasuruar dosje.

“Një pjesë të këtyre materialeve i kam marrë në Alba Film Studio. Në vitin 1997, Arkivi Qendror i Filmit u shkëput nga AlbaFilm Studio dhe u nda dhe baza materiale. Fatkeqësisht atje kanë mbetur shumë materiale, të cilat ne dëshirojmë t’i tërheqim, pasi këtu do të kenë më shumë vlerë”. Ishte pikërisht atje ku gjeti dhe një koleksion të hershëm të Revistës “Drita”, i cili dikur i përkiste Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Ishin të lëna pas dore, por ajo i pastroi, i la në karantinë, që të mos kontaminonin pjesën tjetër të fondit e më pas ia shtoi fondit.

“Një kënaqësi të veçantë më ka dhënë sistemimi i fondeve personale të kineastëve. Gjithçka që kam mundur të gjej e kam sistemuar, shkrime gazete, letra, me referencat e caktuara… Këtu mund të gjesh thesare për jetën e kineastëve dhe të punonjësve të Kinostudios. Kam gjetur 1300 fotografi të ish-punonjësve të Kinostudios, janë prapavija që kanë punuar ditën e natës për realizimin e premierës. Më janë dashur 3 muaj për t’i identifikuar”.

Ka sistemuar edhe dokumente të ish-Kinostudios, ua ka marrë ato vetë kineastëve, që ato të ruhen edhe kur ata të mos jenë më. “Sistemimi i Fototekës së Kinostudios më ka dhënë shumë kënaqësi, sepse ata kanë dhënë një kontribut shumë të madh. Këtu janë të gjitha, që nga fimi I parë shqiptar, “vend” për të cilin konkurrojnë tri filma “Skënderbeu”,”Fëmijët e saj” dhe “Tana”. Nëse i pari është një bashkëpunim me ish-Bashkimin Sovjetik, i dyti një punë diploma, “Tana” është filmi që duhet quajtur me të vërtetë I parë. Për këtë të fundit kam një fakt shumë interesant. Gjeta një letër të regjisorit Kristaq Dhamo, që tregonte se si kishte humbur negativin e filmit “Tana”. Kopja e parë e filmit “Tana kishte shkuar në Gjermani për t’u përpunuar dhe ai pretendon se ka humbur këtu, në Rinas, por edhe mund të mso jetë kthyer nga Gjermania. Dhe është detyruar të gjejë xhirime dhe “copëra” filmash, që ka realizuar filmin që kemi sot. Ne kemi gjetur një film “Tana” në Gjermani, që mundet të jetë ai, që për shkak të politikave të kohës, nuk u kthye. Drejtoreshë Iris Elezi po ngul këmbë që ta sjellë këtu, pasi dëshiron të bëjë një restaurim dixhital të filmit. Ne kemi dublin negativ dhe është i vetmi film që nuk e ka origjinalin. Ndoshta është ai i Gjermanisë”, tregon specialistja.

Por fototeka është sektori që ajo e ka më për zemër. Aty ruhen 52 mijë fotografi. I janë dashur 3 vite punë për ta sistemuar, dhe ende nuk ka përfunduar. Çdo ditë dalin fotografi të reja. I është dashur shumë punë. Nevojiteshin njohuri në arkivistikë, në histori, por pse jo të kesh edhe eksperiencë jetësore, por mbi të gjitha dashuri dhe shumë pasion për punën.

Aty janë koleksionet e fotoprovave, fotografi aktorësh, vendesh, sheshesh xhirimi, dëshmi e Shqipërisë së para ’90-ës. Janë mbi 18 mijë foto kinoprovash e vendxhirimesh. Tepër interesante janë albumet e filmave. E para dosje që na tregon është filmi “Në shtëpinë tone”. E ka një arsye pse na tregon atë. Irena Asqeriu është bashkëshortja e aktorit Bujar Asqeriu dhe natyrshëm tek ajo është ngjizur dashuria për filmin. “Sapo isha njohur me Bujarin”, thotë ajo, duke na treguar fotografitë kur ai kishte qenë një djalë i ri hollak, që luante rolin e Fatosit.

Mund të jenë rreth 20 mijë fotografi filmash. Por aty ruhen edhe dosje me fotografi nga jeta politike e shoqërore: patriotë, rilindas, politikanë, Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare; fotografi që janë përdorur në filma dokumentarë, që janë mbledhur gjithandej; fotografi qytetesh; dosja e Kinostudios, ndërtimi, përurimi, sipas reparteve, grupet e punonjësve; dosjet e skicave të kostumografive…

Një pasuri e tërë, të cilën kanë nisur ta shfrytëzojnë studiues e studentë, madje edhe të interesuar për çështje pronësie, që kanë nevojë për fotografi, ku dikur ishte realizuar një film…

Irena kishte pasur të drejtë, veç filmave, aty ruhet një pasuri e jashtëzakonshme, të cilën ajo, si një nikoqire e mirë po e nxjerr në dritë. Të jesh shpecialiste arkivash, duhet t’i dish ca “sekrete mjeshtërie” dhe Irena Asqeriu, i dinte.

(Ky profil është marrë nga rubrika e ministrisë së Kulturës që mban emrin “Sekrete Mjeshtërie). /atsh

Loading...