Një 26-vjeçare është arrestuar në Rinas pasi nuk deklaroi shumën monetare prej 15 mijë paundësh. Ajo kishte fshehur paratë në valixhe, por gjatë kontrollit rezultoi se sasia e parave nuk ishte deklaruar dhe për pasojë kjo shumë është sekuestruar.
Njoftimi i policisë:
Rinas/Kontrolle të shtuara për goditjen e krimeve ndërkufitare. Evidentohet dhe goditet një rast i mosdeklarimit të të hollave. Sekuestrohen 15 000 paund, procedohet penalisht 26-vjeçarja që nuk i deklaroi.
Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në vijim të kontrolleve të shtuara për evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive, kanë kaluar për kontroll të detajuar bagazhet e shtetases E. S., që kishte udhëtuar nga Anglia në drejtim të Shqipërisë.
Gjatë kontrollit të valixhes së kësaj shtetaseje janë gjetur 15 000 paund, të cilat ajo nuk i kishte deklaruar, sipas përcaktimeve ligjore.
Në vijim të veprimeve u sekuestrua shuma e parave dhe u referuan materialet në prokurori, në ngarkim të shtetases E. S., 26 vjeçe, lindur në Kosovë dhe banuese në Austri, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.