Sekuestrohen vila politikanësh e biznesmenësh/ Qeveria me ‘dorë të hekurt’

100 objekte në pronësi të politikanëve, biznesmenëve e qytetarëve të tjerë emrat e të cilëve ende nuk janë bërë publike, janë sekuestruar në Brezovicë të Kosovës me urdhër të Prokurorisë së Shtetit.
Lëvizja e fortë erdhi pas vlerësimit të raporteve nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë, Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.

Pas inspektimit të bërë objekteve të ndërtuara në zonë, të gjitha këto institucione dolën në përfundimin se ngritja e tyre ka qenë në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar të “Sharrit” dhe planin hapësinor për këtë park.

Sipas prokurorisë, objektet janë ndërtuar përmes shpërdorimit të detyrës nga të pandehurit në këtë rast. Përmes dhënies së lejeve të ndërtimit në kundërshtim me ligjet që rregullojnë Parkun Kombëtar të “Sharrit”, me marrje e dhënie ryshfeti, ata kanë degraduar mjedisin në këtë zonë, çka bën që edhe objektet e ngritura atje të jenë rrjedhojë e këtyre veprave penale. Për këtë arsye, ato janë janë sekuestruar përkohësisht.

Normalisht, në këtë zonë, sipas prokurorëve, nuk lejohet ndërtimi.
“Bëhet fjalë kryesisht për vila e shtëpi pushimi, ka qenë edhe një hotel, edhe atë e kemi sekuestruar. Sakaq, objektet hoteliere gjenden në zonën e tretë të Parkut dhe në ditët në vijim do të shikojmë se çfarë do të bëjmë me to”, tha prokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Rasim Maloku.

Në mesin e objekteve të sekuestruara janë 80 objekte të ndërtuara plotësisht e disa në ndërtim e sipër. Sipas Malokut, lejet janë dhënë gjatë kohës që Bratisllav Nikolliç, zyrtar i Listës Serbe ka qenë kryetar i Komunës së Shtërpcës, por ato janë mbështetur edhe nga zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës./Shqiperiaime

Loading...