Selo Myzafer Qejvani nga Kallarati i Vlorës, aktualisht me punë dhe banim në Norfolk, Virginia, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me profesion inxhinier, me dashurinë ndaj vendlindjes, Kallaratit, nëpërmjet kësaj letre u bën apel banorëve të fshatrave që shtrihen në të dy anët e lumit Shushica, por edhe strukturave shtetërore, për një kujdes më të madh ndaj ndotjes së mjedisit në përgjithësi dhe lumit në veçanti, si burim sëmundjesh e infeksionesh të dëmshme për shëndetin e njeriut, sidomos ndaj brezit të ri.
Nëpërmjet shkrimit të mëposhtëm, Selua, pasi përshkruan se çfarë është ndotja, nga se shkaktohet, pasojat, jep edhe rekomandime se çfarë duhet bërë për mosndotjen e lumit Shushica dhe jo vetëm, duke hedhur idenë e krijimit të “Fondacionit Lumi i Vlorës” dhe shpreh gatishmërinë, që përveç kushtimit të kohës të kontribuojë edhe financiarisht.
Nga Besnik Gjonbrataj
Për më tepër lexoni shkrimin e plotë.
Në fakt problemi i ndotjes së lumenjve e përrenjve kudo në Shqipëri është një çështje që duhet të na shqetësojë të gjithëve. Por unë duke qenë se jam lindur e rritur pranë lumit në Kallarat dhe tashmë jetoj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, falë edhe arsimimit që kam marrë, këtë problem e shikoj pak më ndryshe. Prandaj nëpërmjet kësaj letre unë i bëj thirrje banorëve të mi, jo vetëm të Kallaratit, por të gjithë banorëve që shtrihen në të dy anët e lumit nga rrjedhja e tij në Buronjat e Kuçit e derisa sa bashkohet me Vjosën dhe që përfundojnë në detin Adriatik. Ky është një apel edhe për strukturat shtetërore të kësaj zone për më shumë vëmendje.
Duke ngritur shqetësimin për lumin tonë, ashtu si edhe për të gjithë lumenjtë Shqipërisë: për lumin e Bunës, Drinit, Matit, Shkumbinit, Vjosës dhe çdo lumi tjetër në vend.
Lumi i Vlorës:
Përshkrim i Lumit
Lumi i Vlorës që përshkon Luginën e Vlorës ka një gjatësi rreth 80 km nga burimi në Kuç, Vlorë deri në bashkim me lumin Vjosë në Beshisht, Vlorë. Gjithashtu i njohur me emrin Lumi Shushica, në këtë letër do i referohem me emrin Lumi. Ujërat e lumit Vjosë, nga pika ku Lumi i bashkohet vijojnë edhe për rreth 25 km të tjera pasi përfundimisht derdhen në detin Adriatik afër Zhukë-Grykëshqipe, Vlorë. Duke filluar nga burimi deri në derdhje, gjatë rrugës që uji shkon, Lumi prek në tokat e disa qendrave. Lumi kalon nëpër Kuç, Kallarat, Vranisht, Bolenë, Mesaplik, Brataj, Lepenicë, Gjorm, Velçë, Kotë, Mavrovë, Lapardha, Gumenicë, Vodicë, Drashovicë, Peshkëpi, Sherishtë, Xhyherinë, Risili, Çeprat, Lubonjë, Grabian, Llakatund, Mekat, Drithas, Armen, Mesarak, dhe Beshisht.
Banorët e Lumit
Lumi ka një sistem ekologjik të pasur me kafshë, shpendë, peshq e krijesa të tjera. Disa nga banorët e lumit janë vidhra, trofta, mustaku, ngjala, gaforrja e lumit, nepërka, bretkosa, rosa e të tjerë. Me rendësi është të përmendet se si kafshët e buta dhe ato të egra pine ujë në lum.
Përdoruesit e Lumit
Lumi përdoret nga banorët e luginës për ujë të pijshëm, ujitje, bluarje drithërash me mulli me rrote guri, peshkim, notim dhe argëtim, por jo për lundrim. Administrata e Republikës së Shqipërisë mbikëqyr përdorimin e Lumit për prodhim energjie elektrike. Prodhohet energji elektrike me anë të ujit në Lepenicë, por me ujërat e përroit të Smokthinës, duke mos krijuar ndërprerje të Lumit me digë.
Ndotja e Lumit
Lumi po ndotet. Produkte të pa tretshme biologjikisht përfundojnë në Lum dhe derdhen përfundimisht në detin Adriatik. Gjithashtu ujërat sanitare të banesave të qendrave që Lumi përshkon derdhen në përrenj dhe përfundojnë në Lum. Biznese të industrisë së lehtë marrin ujë nga lumi dhe derdhin në lum ujë me përbërje kimike të përqendruara. Mbeturinat e produkteve plastike si shishe, qese, rroba sintetike dhe lëndë kimike kanë efekt tek përdoruesit e lumit që janë njerëzit, kafshët, shpendët, peshqit dhe krijesat e tjera.
Shterimi i ujit të Lumit
Vihet re dukshëm gjatë viteve të fundit se gjate muajve të verës dhe vjeshtës niveli i ujit të lumit ulet dhe në disa vende shtrati i lumit është i thatë. Në afërsi të Risilisë vihet re nga pamje satelitore te Google Maps se shtrati i lumit është i thatë. Kjo ndodh si pasoje e kombinimit të mungesës së reshjeve me kërkesën e fermerëve për të marrë ujë nga lumi për të ujitur arat.
Dëmtimi i pemëve të Lumit
Dëmtimi i pemëve të lumit si rrapi dhe shelgu ka shkaktuar që rryma e ujit të lumit gjatë rënies së shirave të vjeshtës, dimrit dhe pranverës të shkaktojë gërmimin e brigjeve të lumit. Kjo gërryerje e materialit natyral ka shkaktuar eliminimin e një pjese të kodrës ku ndodhej rruga automobilistike në vendin e quajtur Hor, Vranisht. Gjithashtu, e tërë fusha e futbollit në Kallarat është gërryer nga Lumi. Diga me gabione janë vendosur për të ndaluar gërryerjen e mëtejshme në Hor, Vranisht. Rrënjët e pemëve që rriten në shtratin e lumit krijojnë barrikada në mënyre natyrale për mbrojtjen e brigjeve të Lumit.
Propozim për mirëmbajtje të Lumit
Unë propozoj që ne përdoruesit e Lumit të nisim menjëherë menaxhimin e Lumit. Disa nga sfidat me të mëdha janë: edukimi, organizimi dhe ekzekutimi i planit. Investimi më i madh është dedikimi i secilit nga ne përdoruesit e lumit për të kuptuar problemin e lumit. Hapi tjetër me rendësi është marrja e iniciativës për të ndaluar procesin e ndotjes së Lumit. Më poshtë vijon plani hap-pas-hapi për të menaxhuar Lumin:
Hapi 1: Duhen bërë prezantime për faktet që rrethojnë lumin me grupmosha të ndryshme. Përhapje e njohurive të sistemit ekologjik të lumit për të edukuar banorët e rinj të luginës së Vlorës duhet të fillojë që nga ata të moshës gjashtë (6) vjeç. Kjo arrihet në bashkëpunim me shkollat e vendit. Prezantime me banorët për të theksuar rëndësinë e rolit të Lumit në jetën e përditshme dhe për të marrë mendimin e banorëve se si Lumi të mirëmbahet.
Hapi 2: Duhet të krijohen rregullat dhe vënia e tyre ne fuqi për mbrojtjen dhe kujdesinë e Lumit. Përkufizimi i sipërfaqes dhe kufijve fizike të lumit si dhe rolet dhe përgjegjësitë e të gjithë të përfshirëve është me rendësi. Caktimi i procesit të marrjes së lejeve për përdorim të ujit dhe për peshkim. Miratimi i ligjeve dhe caktimi i tarifave për lejet, si dhe caktimi i ndëshkimit për shkelje të rregullores. Me rendësi është krijimi i skuadrave vullnetare për të edukuar banorët për të pastruar, mirëmbajtur dhe menaxhuar Lumin në mënyrë që Lumi dhe natyra të shërbejnë sa me mire për këta përdorues.
Hapi 3: Sigurimi i fondeve nëpërmjet dhuruesve të ndryshëm për të ngritur buxhetin e duhur për të edukuar përdoruesit e Lumit, për pastrimin e ndotjes dhe për të bërë përgatitjet për të ndaluar vazhdimin e ndotjes. Fondet e mbledhura duhet të përdoren për blerje koshash dhe shpërndarje tek banoret për mbledhjen e sendeve që ndotin lumin si pagure, qese dhe ambalazhe të ndryshme plastike. Bashkëpunim me firma private për mbledhjen e produkteve plastike të grumbulluara nga banorët në bazë mujore dhe për te ricikluar ato me ndihmën e tregut të lirë.
Hapi 4: Trajtimi i ujërave të zeza për çdo ndërtesë në luginë është me rendësi. Ndërtesat në qendrat e luginës janë disi të shpërndara. Një sistem ujëmbledhës me tuba nëntokësor nuk mund të realizohet për arsye ekonomike. Sisteme individuale të trajtimit të ujërave të zeza për çdo banesë është një mundësi. Një shembull është sistemi me depozite septike dhe fushë tharëse. Skica dhe njohuri për ndërtimin e një sistemi të tille gjenden lehtë në internet. Sidoqoftë duhet menduar dhe kushtuar kujdes për çdo ndërtesë që sistemi i trajtimit të hartohet, ndërtohet dhe mirëmbahet në mënyrë që të punojë dhe të kryej qëllimin me sukses.
Hapi 5: Proceset e ngritura më lart (në hapat një deri në katër) duhet të mbikëqyren vazhdimisht për të siguruar vazhdim të parandalimit të ndotjes së Lumit.
Hapi 6: Institucionet shkencore duhet të ftohen të studiojnë dhe të arkivojnë sjelljen dhe karakteristikat hidrologjike, biologjike, kimike, gjeologjike dhe ato hidraulike të Lumit. Vëzhgim i vazhdueshëm i sjelljes dhe karakteristikave te lumit është me rendësi për të garantuar që jeta e Lumit të jetë e shëndetshme.
Diskutim
Teorikisht banorët rreth Lumit paguajnë taksa në shtet. Një sasi e këtyre taksave duhet t’i përkushtohet mirëmbajtjes së Lumit. Sidoqoftë, nëse administrata shtetërore me degët e saj përkatëse është e pamundur të kujdeset për Lumin, atëherë përgjegjësia është e përdoruesve të Lumit. Duhet theksuar se moralisht dhe nga pikëpamja ekonomike është përgjegjësia e çdo banori të luginës si përdorues të përkujdeset për Lumin.
Kjo letër përqendrohet te Lumi, por ndotja e vendit në çdo pjesë të luginës është e dukshme dhe ka efekt te Lumi. Gjate rënieve të shirave rrëketë që krijohen i transportojnë mbeturinat në përrenj dhe përfundimisht në Lum.
Dëmtimi i pyjeve në luginë ka efekt te Lumi. Janë pemët me fletat, degët, me trungu dhe rrënjët e tyre që mbajnë sasi të mëdha uji gjatë rënies së shiut dhe kontrollojnë volumin e ujit që përfundon në Lum, duke parandaluar kështu gërryerjen e kodrave, pllajave, rrëkeve dhe të brigjeve të Lumit.
Kjo letër nuk depërton në thellësi të aspekteve të ndryshme në lidhje me Lumin. Profesionistë të fushave përkatëse si kimistë, biologjistë, gjeologjistë e të tjerë duhet të përqendrohen në studimin e Lumit dhe të bëjnë rekomandime për secilën fushë. Kjo letër ka si qëllim propozimin e disa ideve për të ndaluar ndotjen e lumit duke i’u drejtuar përdoruesve të lumit.
Përdorimi i lumit për energji elektrike është i justifikuar moralisht vetëm për përdorim individual nga përdoruesit e lumit, nga vetë ata banorët e luginës. Metoda që prodhojnë rrymë elektrike të mjaftueshme vetëm për një familje dhe pa ndërprerë rrjedhjen e Lumit mund të jetë një mundësi. Këto metoda nuk përdorin diga por energjinë e rrjedhës natyrale të lumit ose të përrenjve. Sidoqoftë, përdorimi i lumit për energji elektrike duhet të jetë për përdorim individual për të mbuluar nevojat e çdo familje të luginës dhe jo në shkallë industriale. Gjithashtu vendimi për përdorim të Lumit për energji elektrike duhet të bëhet në mënyrë demokratike dhe shkencore që të garantohet se shëndeti i Lumit nuk rrezikohet. Sidoqoftë metoda të tjera për prodhim energjie me anë të diellit dhe erës mund të kenë rezultat më të lartë dhe duhen vlerësuar si alternativa.
Kjo letër pasqyron mendimet e mija si profesionist, dhe nuk përdor referenca të letrave të tjera që mund të shkruajnë për këtë temë. Sidoqoftë, unë jam bazuar në pamje satelitore nëpërmjet internetit që tregojnë rrugën e lumit për të ndihmuar në krijimin e kësaj letre. Gjithashtu duhet të ve në dukje tek lexuesi se unë jam pjesëtar i luginës dhe përdorues i lumit edhe pse aktualisht banoj në Amerikë.
Le të diskutojmë pak hapa të vegjël që mund të ndërmerren nga secili nga ne përdoruesit e Lumit për të minimizuar dhe përfundimisht eliminuar ndotjen e lumit. Produkte për ambalazhe plastike mund të zëvendësohen me ambalazhe letër, metal ose qelq. Si letra, metali apo edhe qelqi mund të ripërdoren për ripaketim dhe përdorim por edhe nëse disi përfundojnë në Lum janë me më pak rrezik për jetën e banorëve të Lumit. Letra tretet lehtë pasi është produkt druri. Qelqi, edhe pse nuk preferohet të përfundojë në lum, nuk është i rrezikshëm për krijesat e Lumit. Metali nuk preferohet të përfundojë në Lum, por sidoqoftë nëse kjo ndodh është shumë me më pak rrezik për banorët e Lumit sesa sendet plastike. Metali përfundimisht do të degradohet pasi do të reagojë me ujin dhe elementet e tjerë të Lumit. Produktet plastike nëse përfundojnë në Lum shpërndahen në pjesë më të vogla, por asnjëherë nuk treten dhe kur konsumohen nga kafshët do të shkaktojnë dëmtim shëndeti ose edhe vdekje. Sidoqoftë, ambalazhet plastike që nuk mund të shmangen pasi janë me rendësi për njerëzit e luginës, nëse nuk do të ripërdorurën, duhet të grumbullohen në vende të posaçme nga çdo familje dhe të dërgohen për riciklim në tregun e lirë.
Rekomandim
Duhet vepruar menjëherë për të ndaluar procesin e ndotjes së Lumit. Ne përdoruesit e Lumit duhet të ndërmarrim në ndërgjegjen tonë përgjegjësinë për t’u kujdesur e për të mbrojtur Lumin tonë. Secili nga ne duhet të grumbullojë në pronat tona të gjitha produktet plastike që nuk mund të ripërdoren në një vend të posaçëm paraprakisht në pritje të ngritjes së një sistemi të mbledhjes së tyre së shpejti. Por krahas ndërgjegjësimit të banorëve për mos ndotjen e lumit dhe gjithë natyrës që na rrethon, ashtu edhe pushteti lokal dhe strukturat e tjera shtetërore duhet të ndërmarrin hapa seriozë për mbrojtjen e natyrës e cila ndikon drejtpërsëdrejti në jetën e banorëve të luginës së Vlorës dhe në tërësi të jetës së njerëzve kudo që ndodhen.
Një nga propozimet e mia është, krijimi i një organizatë e cila mund ta kishte emrin “Fondacioni Lumi Vlorës”. Nëse mund të krijohet një organizatë e tillë, duhet të gjenden njerëzit e duhur dhe që janë të pasionuar në këtë drejtim, të cilët duhet të udhëheqin këtë proces, i cili patjetër që kërkon edhe investime.
Disa ide për të investuar në rrjedhën e lumit janë: shpërndarje kosha plehrash për çdo familje për të mbledhur mbeturinat plastike; dhënie bursash për të rinjtë për të studiuar për inxhinieri ambienti; lobizëm për miratim ligji për mbrojtjen e lumit; organizim vullnetarësh për të mbledhur mbeturinat plastike, ose ndonjë ide tjetër për të ndihmuar duke parandaluar ndotjen dhe siguruar rrjedhën e pastër të lumit.
Unë, si bir i kësaj zone, jam i gatshëm të kontribuoj edhe financiarisht, aq sa kam mundësi në këtë drejtim, por të gjithë së bashku mund dhe duhet të bëjmë më shumë për shëndetin e brezave të ardhshëm. Shëndeti i njerëzve mbi të gjitha.
Selo QEJVANI
Inxhinier Civil
Norfolk, Virginia, USA