Servilizmi na tjetërson dhe shpërfytyron deri në shëmti! – Nga Genc Demiraj

Nga Genc Demiraj
Servilizmi…
Foton e më poshtëme po ja huazoj mikut tim Agim Sulaj .
Është një karikaturë e herëshme e tij, “Servilizmi”, biles shumë e herëshme e 1984-ës, e kohës së “Hostenit” të famshëm. Kohë kur sistemet politiko-shoqërore ishin të ndryshme por kjo “racë” e pështirë servilizmi, është e pa ndryshuar !
Njihet dhe nuk ka nevojë për shtjellim se ç’është në formë dhe në përmbajtje servilizmi. Ai shtetëror, ai politik dhe ai më i shëmtuari dhe i poshtri, servilizmi individual.
I kemi hasur dhe mësuar kaherësh, të gjitha llojet e tij sepse na është imponuar nga koha dhe faktorët strategjiko-politiko-ekonomik.
E kemi ndeshur dhe e kemi luajtur, që nga servilizmi shtetëror dhe popullor, ku i jemi puthur dhe qaravitur idhujve tanë , dhe deri tek servilizmi halabak dhe i pështirë ndaj brigadierit apo shefit. Edhe sot dhe gjithë ditën ky ves idiot, na ka kapluar dhe nuk na lë të bëjmë çap. Na tjetërson dhe shpërfytyron deri në shëmti kur sado pak preket dhe cënohet personaliteti a reputacioni i shefit, liderit apo shtetit mik. Shëmtimi dhe baltosja arrin deri aty, sa për tu dukur i vlerë dhe besnik para Atij, humbet çdo normë dhe ligjësi morale, dhe para të tjerëve që janë larg tij, bëhet i pavlerë dhe i jargavitur si krimb.
Shëmtia fiziko-morale e servilëve të sotëm është aq e arrirë dhe e përsosur sa që edhe vetë shëmtia është klasifikuar në shëmti të “bukur”, të “pabukur” dhe në shëmti të shpifur… Servilizëm i “shëmtisë së shpifur”, që të ngjall krupën dhe të vilanos…Tjetërsohet tjetri para të tjerëve dhe ç’burrërohet burri, para burrave, vetëm se miku i shefit është prekur dhe cënuar ! Hedh poshtë bagazhin intelektual dhe profesional, dhe dërdëllit symbylltazi dhe pa tru, atë që ka thënë shefi apo miku i shefit !
Janë dhe gati që për hir të kësaj besnikërie, të sakrifikojnë jo vetëm opinionin ndaj vehtes por edhe ndaj moralit dhe nderit.
Të çudisin këta tipa, kur në konfidencë dhe privatësi kafenesh, të shpalosin zellin dhe potencialin e intelektualizmit dhe koherencës së tyre ndaj fenomeneve dhe skandaleve zullumqare, dhe në audienca politike e mediatike, tjetërsohen nën hipnozën e vesit të “shëmtisë së shpifur” të servilit !
Të lënë pa gojë me kthesen e menjëherëshme protagoniste të oratorisë , arsyetimit dhe mimiko-plastikës alla shef !
Të lënë pa frymë dhe mëndje këta lloj monstrash, që në leksikologji dhe shoqëri quhen, servila…por që në të vërtetë janë , “legenat” e shoqerisë .

Loading...