“Rritja e cilësisë së shërbimit mbetet sfida kryesore me të cilën përballet Shqipëria në funksion të fuqizimit të industrisë së turizmit”.
Kështu deklaroi sot, Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të kontratës mes Mak Albania dhe firmës së njohur globale Hyatt International.
Kryeministri Rama solli në vëmendje një fakt mbi turizmin në Shqipëri, ku sipas tij, “nëse do të futesh në ‘Trip Advisor’ do të gjesh mbi 100 mijë komente dhe opinione për Shqipërinë si destinacion turistik”.
“Dy gjëra të bien në sy: mbresat e jashtëzakonshme për pasuritë natyrore dhe kulturore kombinuar me bujarinë e shqiptarëve dhe pakënaqësia për cilësinë e shërbimit në njësitë akomoduese”, tha Rama.
Pikërisht cilësia e shërbimit, sipas kryeministrit Rama mbetet një ndër sfidat më kryesore që Shqipëria ka pasur dhe vazhdon të ketë në funksion të fuqizimit të një industrie që ka një potencial, në masën më të madhe, të paeksploruar dhe do të jetë baza e ekonomisë së nesërme të shqiptarëve.
“Ky event sot”, tha Rama, “është një stacion në këtë rrugëtim aspak të lehtë për ta fituar këtë sfidë”./ atsh