Në përballjen që do të zhvillohet ditën e shtunë në stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër, Kombëtarja shqiptare e futbollit do të zbresë në fushën e lojës për të fituar.
Trajneri italian i kombëtares, Kristian Panuçi në konferencën e zhvilluar në Shkodër, në prag të ndeshjes theksoi se Shqipëria duhet të fitojë patjetër ndeshjen e radhës.
“Nesër duhet të shënojmë patjetër. Krijojmë raste, por nuk shënojmë. Lojtarët nuk duhet ta pranojnë faktin që nuk shënojmë gol. Me Skocinë duhet të fitojmë patjetër, ndaj duhen golat”, deklaroi Panuçi.
Panuçi bëri dhe bilancin e lojtarëve që do të ketë në dispozicion, duke theksuar se Eros Grezda ka kërkuar të luaj në këtë sfidë, duke e shtyrë për nesër shpalljen e formacionit.
“Formacionin do ta përcaktoj nesër, sepse kam dyshime. Skuadra duhet të përmirësojë komunikimin në fushë. I kemi flakur vetë shanset për kualifikimin. Ndonëse nuk e shfaq, brenda vetes jam shumë i nxehur. Kemi shfaqur gjëra të mira, por na duhen fitoret”, – tha Panuçi.
Shqipëria përballet nesër me Skocinë në “Loro Boriçi”, ndeshje e vlefshme për Ligën e Kombeve. /atsh