Shameti: “Reforma në Drejtësi nuk ka kthim pas”

“Zbatimi Reformës në Drejtësi tani është i padiskutueshëm, ndaj i siguroj të gjithë ata që janë trembur nga realizimi i kësaj reforme se ajo është e përfunduar dhe nuk ka kthim pas”, deklaroi sot deputeti i PS-së, Adnor Shameti.

I ftuar në një studio televizive, deputeti i PS-së, Adnor Shameti hodhi poshtë vlerësimet e Presidentit Ilir Meta për reformën në drejtësi.

“Jam njohur nga artikulimet e Presidentit dhe personalisht dhe politikisht ndihem i keqardhur për deklarata të tilla. Sqaroj opinionin publik se sot jemi në metrat e fundit të realizimit dhe zbatimit të reformës në drejtësi”, tha ai.

Sipas Shametit, “Reforma në Drejtësi në Republikën e Shqipërisë ka qenë një nga reformat më të qenësishme, më e madhja dhe më gjithëpërfshirësja në këto 30 vitet e fundit, që ka gjetur mbështetje dhe mirëkuptim ndërkombëtar”.

“Në çdo hap, ligjet e reformës në drejtësi kanë gjetur mbështetjen e partnerëve tanë euroatlantikë me 2 misionet EURALIUS dhe OPDAT. Çdo anatemim i kësaj mbështetjeje të pakufijshme me ekspertizë dhe burime njerëzore, si dhe sjelljen e praktikave më të mira të ligjit do ta konsideroja të pavend. Kjo është më e pakta”, tha Shameti.

Përsa i takon konstituimit të Gjykatës Kushtetuese, Shameti citoi thënien e Kryeministrit Edi Rama: “Më mirë djepi bosh, se shejtani brenda”. “Ishin këta shejtanë që nuk lanë gur e kusur dhe stërkëmbësh pa i vënë Reformës në Drejtësi”, tha Shameti.

Ai theksoi se “janë ngritur gjithë institucionet e reja në drejtësi dhe shumë shpejt Gjykata Kushtetuese do të jetë e konstituar”. “SPAK-u është sebepi dhe ajo që ua prish gjumin të gjithë këtyre aktorëve edhe ky është realiteti. Sot janë afate kushtetuese që janë me ditë tashmë dhe është e përfunduar e tërë ngrehina e drejtësisë”, tha ai. /atsh

Loading...