Kapiteni i skuadrës angleze Manchester United, Harry Maguire raportohet sot se kishte tentuar të korruptonte oficerët e policisë greke pas sherrit të rëndë në një bar të ishullit Mykonos me disa shqiptarë, ndërsa u kishte bërë presion policëve duke thënë: “A e dini kush jam unë? Jam kapiteni i Manchester United”.
Sipas mediave greke, 27 vjeçari vazhdon të përballet me akuzat e sulmit fizik, abuzim verbal, sulm ndaj oficerëve të policisë dhe tentativë rryshfeti.
Mbrojtësi është kthyer në Angli në pritje të gjyqit madje trajneri i kombëtares angleze Gareth Southgate e emëroi atë sot në skuadrën e tij.
Edhe vëllai i Maguire, Joe, përballet me të njëjtat akuza ndërsa miku i tyre 29-vjeçari Christopher Sharman, përballet me sulm dhe abuzim verbal.
Sot avokati i Maguire tha se motrës së futbollistit Daisy i ishte injektuar një drogë përdhunimi nga dy shqiptarë misteriozë në barin ku ndodhi ngjarja.
Daisy kishte humbur ndjenjat dhe kjo solli nisjen e sherrit. Policia erdhi në vendngjarje dhe dy shqiptarët u larguan, u tha në seancën e gjyqit.
Maguire dhe grupi i tij kishin kërkuar të shoqëroheshin në spital pas sherrit por ata u dërguan në stacionin e policisë, madje Maguire pretendon se një oficer e goditi me shkelm në këmbë dhe i tha: “Karriera jote ka marrë fund”.
Por oficeri i policisë Mickolos Kolios tha se Maguire nisi të shtynte oficerët e policisë dhe të abuzonte verbalisht me ata.
Ai shtoi se futbollisti dhe vëllai i tij Joe tentuan t’u jepnin rryshfet oficerëve, ndërsa më vonë Harry tha: “A e di kush jam unë? Jam kapiteni i Manchester United. Jam shumë i pasur, mund të të paguaj, na lër të shkojmë”.
Opinionisti sportiv anglez, ish-yll i Liverpool, Jamie Carragher mbronte Maguire në një koment duke refuzuar pretendimet e policisë greke.
“Absolutisht budallëqe! Çdo lajm për futbollistët nis me këtë historinë ‘A e di ti kush jam unë?’ Nuk kam dëgjuar asnjë futbollist ta thotë këtë”.