Austriaku Gustav von Myrdach është një prej organizatorëve të parë të ushtrisë shqiptare. Ai u thirr në Shqipëri në vitin 1922 bazë të njohjes me Ahmet Zogun. Ishte koha kur në Shqipëri erdhën organizatorë të shumtë për organizimin e administratës dhe forcave të armatosura. Myrdach u thirr si organizator dhe inspektor i ushtrisë. Kjo kohë përkon edhe me një riorganizim të strukturës së Ministrisë së Luftës, të Shtabit të Përgjithshëm si dhe të regjimenteve.
Në vitin 1922 ushtria ishte llogaritur të kishte një trupë të përgjithshme të përbërë prej 324 oficerësh, 745 nënoficerësh dhe 6235 ushtarësh, si dhe 5400 rezervistësh. Myrdach vuri në zbatim gjithashtu rregullore të brendshme të marra nga Austria. Më 1922, me rekomandimin e Myrdach u krijua edhe batalioni i punëtorisë, i komanduar nga Leon de Gilhardi afër Kavajës, i cili u mor me punime rrugësh.
Gustav von Myrdash në postin e shefit të Shtatmadhorisë të ushtrisë shqiptare, rezulton të jetë kryetari më jetëgjatë i saj. Këtë funksion ai e pati tri herë, në vitin 1922, në periudhën më 18 janar 1925 – 7 prill 1939 dhe në fund më 25 tetor 1943 – 25 tetor 1944. Në periudhën e fundit ndodhej në pension, gati 70 vjeç. Thirrja e fundit që iu bë, rezultoi fatale për të. Pavarësisht se pothuaj nuk ushtroi ndonjë kompetencë në vitet 1943 – 1944, me një ushtri shqiptare thuajse jo ekzistente, ai u dënua me vdekje në gjyqin special të vitit 1945.
Dëshmia para se të pushkatohej
Një komision hetimor i kryesuar nga përfaqësuesi i ushtrisë Frederik Nosi, përfaqësuesi i qarkut Zija Këlliçi dhe përfaqësuesja e gruas antifashiste Senka Kushi, merrnin në pyetje më 28 dhjetor 1944, 70 vjeçarin Gustav Von Myrdach, biri i Paolos dhe Emas lindur më 1874 në Vjenë, i martuar, i padënuar. Myrdach kishte mbaruar në Vjenë shkollën e luftës. Kishte shërbyer për shtetin shqiptar në dy dhjetëvjeçarë dhe në moshën e pensionit dilte përpara gjykatës speciale i ngarkuar me akuzat e një protagonisti të rëndësishëm. Në 13 prill 1945 ai do të ishte njëri nga të 17 të ekzekutuarit e gjyqit special.
Dëshmia e tij hetimore tashmë ka vlerë historike. Ai flet për kohën kur erdhi në Shqipëri, i thirrur nga ministri i atëhershëm i Punëve Botore, Mehdi Frashëri për të organizuar ministritë kryesore të vendit. Por pak muaj më vonë kalon si instruktor i ushtrisë shqiptare, pa iu ndarë shërbimit ndaj saj deri ditën kur u arrestua.
Aso kohe shteti shqiptar kishte thirrur specialistë austriakë për të dhënë ndihmesën e tyre për hartimin e ligjeve organike të ministrive si dhe në mirëfunksionimit të tyre. Në gjuhën e sotme, ai ishte dy herë shef i shtabit të ushtrisë shqiptare, gjatë kohës së mbretërisë si dhe në vitet 1943 – 1944. Dhe ndoshta Myrdach nuk e kishte menduar kurrë që vendi për të cilën ai punoi në fundin e jetës do t’i jepte plumbin.
Përgjigjet e dhëna prej Gustav Von Myrdach
Jam arrestuar më datë 1 nëntor 1944 në shtëpinë time. Kam ardhur në Shqipëri me datë 4 tetor 1921 bashkë me 12 inxhinierë austriakë, i thirrur nga Mehdi Frashëri për të organizuar Ministrinë Botore. Në prill të 1922 hyra në Ministrinë e Luftës, mbasi mori nënshtetësinë shqiptare si organizator e inspektor me gradën kolonel, ku vazhdova deri më 1925.
Në këtë kohë u emërova kryetar i shtatmadhorisë duke u graduar gjeneral brigade më 1928, duke vazhduar me këtë detyrë deri në ardhjen e Italisë. Në nëntor 1943 Këshilli i Naltë me propozimin e komandantit të përgjithshëm të Ushtrisë, gjeneral Preng Previzi më gradoi gjeneral – divizioni. Ardhja e Italisë më gjeti kryetar të shtatmadhorisë.
Me 7 prill 1939 shkova në Librazhd, ku mora urdhër nga Baroni Von Kircher, i cili nga Pogradeci më telefonoi për të organizuar një farë rezistence. Shkova deri në Korçë me 40 oficerë shqiptarë dhe mbasi u bë ndonjë rezistencë, u ktheva në Tiranë me datë 11 prill 1939. Prej asaj date deri në shtator 1943 mbeta si gjeneral në dispozicion të Komandës së Përgjithshme me 1400 fr.shq. rrogë mujore.
***
Mbi oficerët gjermanë në Shqipëri kam këtë dijeni:
-General Bessel, fuqiplotë për Shqipërinë dhe Malin e Zi, nëntogeri i rrugës së Elbasanit.
-General Gzib erdhi pas këtij
-Major Von Thungen, kryetar i shtatmadhorisë
-Major Trost, adjutant personel
-Kapiten Gossi
-N/Kolonel Kuhn
-Në verë u transferua gjeneral Geib dhe erdhi nga Greqia, gjenerali i Fanterisë, Gulmann.
-Gjeneral Fehn i Fanterisë, komandant i korparmatës malore XXI në Tiranë.
-Vohn Klocke, kryetar i shtatmadhorisë
-General Fehn është zëvendësuar në shtatorin e kaluar prej gjeneral Von Lyeser, personeli i komandës nuk është ndryshuar.
-Një divizion që qëndronte në Vlorë dhe në Shkodër e komandant gjenerali Dentcher, i cili u vra në një aksident automobilistik, më vonë mori komandën gjenerali Leeb.
-Gjenerali Fitzthum përfaqësuesi i Himlerit në Shqipëri erdhi këtu gjatë janarit 1944, mbasi ndenji në Kosovë disa kohë për orientim.
-Gjenerali Fitzthum, organet e tij merreshin me politikën e brendshme dhe me mbrojtjen e rendit.
-Komanda ishte në hotelin “Kontinental”
-Komandant general Fitzthum
-Kapiten Knosel, adjutant
-Fischer, shef i shtabit madhor
-Major Laue, oficer i lidhjes si dhe organizator i Xhandarmërisë
-Major Endres, oficer i lidhjes për Ministrinë e Punëve të Brendshme
-Major Bierwirt, ndërlidhës me Komandën e Mbrojtjes Kombëtare
-Nënkolonel Schmid HUber, komandant i divizionit S.S. “Skënderbeg”, qendra në Prizren
-Leintenant Schafer, komandant i propagandës
-Kapiten Falke, oficer i shërbimit policor
-Kapiten Lederer mbas ikjes së Korparmatës Xxi mori mbrojtjen e brendshme të Tiranës
-Major Eckstein mbrojtjen e jashtme të Tiranës
***
Në shtator pas kapitullimit të Italisë, erdhi në Tiranë gjeneral Besel, i cili mori kontakt me gjeneral Aqif Përmetin, kolonel Sami Kokën dhe me mua. Fejzi Alizoti më ngarkoi mua për të pyetur gjermanët dhe në këtë rast gjeneral Bessel, në qoftë se ai do të kishte ndonjë kundërshtim, se si të formohej një asamble kombëtare dhe një qeveri. Gjeneral Bessel më tha se nga ana e tij, nuk kishte ndonjë kundërshtim.
Përpara kësaj tentative Fejzi Alizoti dhe Aqif Përmeti kishin shkuar te gjenerali Dalmadido për këtë çështje dhe ky kishte thënë se do të pyeste Romën. Evenimentet precipituan dhe përgjigje nuk erdhi. Kjo tentativë e Fejzi Alizotit dështoi. Me ardhjen në Tiranë të përfaqësuesit politik të Hitlerit, ministrit fuqiplotë Neubacher, i cili qëndronte në Beograd, filluan bisedimet për formimin e një komiteti ekzekutiv.
Ibrahim Biçaku në bashkëpunim me Von Schaiger atashe tregtar i konsullatës gjermane dhe përfaqësues i vetë Von Ribentrop, mori iniciativën dhe e formoi këtë komitet ekzekutiv.
Me një bashkëfjalim që kam patur me konsullatën gjermane me Neubacher duke qenë prezent dhe Von Scheiger ku më duket se asistonte dhe Ibrahim Biçakçiu, Neubacher insistoi që komiteti të formohej sa më shpejt, që çështja e Shqipërisë të përmendej ne fjalimin e afërm që do të mbante Hitleri.
Me Naubacher biseduam përgjithësisht mbi situatën në Shqipëri gjatë regjimit italian. Naubacher donte të mbaronte punët shpejt. Insistoi që të formohej një asamble, e cila ta shpallte independencën shqiptare dhe ta shkëpuste Shqipërinë nga Italia.
Në mbledhjen e parë që u mbajt në parlament për të formuar komitetin ekzekutiv, ishin prezentë përveç meje, Fejzi Alizoti dhe Aqif Përmeti. Nga kjo mbledhje nuk doli gjë. Më vonë u bë një mbledhje e dytë në sallën e bashkisë, nga ku doli komiteti, por unë në këtë mbledhje nuk kam qenë. Gjermanët kishin besim të plotë te Xhaferr Deva dhe të Ibrahim Biçakçiut, i cili kishte miqësi të vjetër me Von Scheiger, por më shumë kishin besim te Deva, i cili ka marrë dekoracion nga Hitleri.
Gjenerali Fitzthum i cili ishte përfaqësuesi i Himlerit në Shqipëri ka qenë organizues i Ushtrisë dhe Xhandarmërisë Shqiptare. Me ardhjen e gjermanëve në Shqipëri, Balli Kombëtar u armatos dhe u organizua dhe pjesërisht u furnizua me ushqime nga ushtria gjermane, e cila mund të ketë shpërndarë deri në 9.000 pushkë. Sa herë që ushtria gjermane bënte ndonjë operacion kundër partizanëve së bashku me ballistët, Komanda e Operacioneve ishte krejt në dorën e gjermanëve.
Asnjë operacion nuk mund të bëhej pa urdhër të Komandës Gjermane, urdhrat për këto operacione jepeshin nga Korparmata XXI, e cila ishte Komandë e Përgjithshme Gjermane. Më duket se është dhënë një urdhër shifër që asnjë apartament i armatosur shqiptar më tepër se 15 veta nuk mund të lëvizte pa lejen e gjermanëve. P.sh. kur xhandarmëria shqiptare donte të transferonte një postë xhandarmërie prej pikës A në pikën B, nevojitej gjithmonë një leje nga Komanda e Korparmatës XXI.
Gjithë operacionet e kombinuara gjermane shqiptare kundër partizanëve si ato kundra Myslim Pezës, ato në jug dhe ato në Mirditë, Mat e Burrel, kanë qenë gjithmonë nën urdhrin e reparteve gjermane.
Sa herë që bëhej ndonjë operacion i kombinuar kundër partizanëve repartet gjermane e merrnin urdhrin e luftës nga Korparmata XXI, ndërsa repartet shqiptare e merrnin këtë urdhër nga feld komandaturat gjermane, të cilat ekzistojnë më duket në çdo prefekturë, me anë të një oficeri ndërlidhës gjerman.
Mbasi unë dija gjuhën gjermane nganjëherë Mehdi Frashëri më dërgonte si oficer ndërlidhës pranë Komandës Korparmatës XXI.
Në shtator të vitit 1944, më ka dërguar Mehdi Frashëri të bisedoja me Keocher për situatën ushtarake në Berat, që ky ishte kryetar i shtatmadhorisë së gjeneralit Leiser.
Një herë tjetër përpara kësaj kam shkuar vetë me Mehdi Frashërin të gjenerali Leiser. Mehdi Frashëri i shpjegoi gjeneral Leiser planet e tij, se si të zhvillonte një ofensivë kundër ushtrive partizane, pse ai e quante veten sikur kishte një zotësi ushtarake, duke thënë se unë jam ushtar i vjetër dhe marr vesh nga ushtria. Unë bëra pjesën e përkthyesit. Në qoftë se e mbaj mend mirë, Mehdi Frashëri insistonte se operacionet të fillonin nga Mokra e Berati, kurse gjermanët kishin filluar një operacion tjetër dhe i thanë Mehdi Frashërit pse ne nuk mund të bëjmë dy operacione përnjëherë, derisa nuk kemi mbaruar këtë që kemi filluar.
Mehdi Frashëri tregohej shumë i zellshëm për të nxitur gjermanët që të shfarosnin partizanët, por me sa kuptoj unë, efekti i operacionit qe ky, që menjëherë mbasi mbaroi ofensiva, gjermanët, partizanët kaluan Shkumbinin nga jugu në veri dhe atje e transferuan rezistencën e tyre.
Fondet për vullnetarët që janë paguar nga Komanda e Mbrojtjes janë ndarë në këtë mënyrë: 4.000.000 milionë franga shqiptare i ka marrë Kadri Cakrani, 1.000.000 i ka marrë Gjon Marka Gjoni, 1 000 000 Hysni Dema, 600 000 Isa Manastirlliu dhe Mehmet Alltuni, 80 000 ka marrë Musa Picari. Sa për Irfan Ohrin dhe Enver Risilinë nuk e di sa kanë marrë dhe 550.000 franga ndër të cilat 800 napolona ari i janë dhënë gjeneralit Fitzthum për t’i përdorur për pagesa të ndryshme.
Toger i ushtrisë Lek Marashi, më vonë major Kreshnik punonte si interpreto në komandën e Fitzthumit, Mubareq Toptani ka qenë si përkthyes në komandën gjermane të kapitenit Leiser dhe si shpërblim për punën e tij u propozua që të gradonte si kapiten i KL. II për merita lufte.
Burimi : njekomb.com