Shefi i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj ka mbërritur në studion e “Opinion” me maskë.
Ndonëse Brataj u prek nga COVID disa muaj më parë dhe e kaloi, ai ka vendosur ta mbajë maskën edhe gjatë intervistës në studio, pavarësisht se të ftuarit kanë qenë në më shumë se 2 metër distancë.
Brataj u shpreh se në këtë moment maska është detyrim në të gjiha ambientet e brendshme.
“Në këtë moment, maska është detyrim. Me hapjen publike të transportit është detyrim në të gjitha ambientet e brendshme. Duhet të shtrëngojmë masat me qëllim që brenda dy apo tre jabësh të ulim numrat”, tha Brataj.
Duke iu referuar telefonatave në drejtim të urgjencës, Brataj tha se ka një rënie të numrit krahasuar me periudhën Mars-Prill.
“Telefonata janë 1200 në ditë, nga 5 mijë që ishte në fillim. Kemi dy grupe njerëzish. Kush ka në rrethin familjar apo shoqëror njerëz të infektuar dhe që marrin në telefon për t’u informuar. Është dhe grupi tjetër që nuk ka asnjë nga këto, vazhdojnë akoma të thonë që s’ka COVID. Ndaj dhe ka rënë numri”, tha Brataj.
Shefi i Urgjencës Kombëtare u tregua pesimist sa i përket situatës nga COVID-19. Ai tha se shifrat e të prekurve COVID gjatë muajit korrik do të vijojnë të jenë në rritje.
“Në këtë periudhë ne jemi me fillimin e hapjes. Kjo javë është në rritje dhe përkon me hapjen e qershorit. Kapacitetet spitalore janë rreth 550 shtretër dhe kemi 256 respiratorë. Unë mendoj se shpejti do hapim COVID2. Korrikun do ta kemi në ngritje, sepse është maksimumi i dëmit që është bërë. Po kërkohet që njerëzit të ndërgjegjësohen”, tha Brataj, i cili deklaroi se deri në këto momente vdekshmëria në Shqipëri është 2.6%.
Por ajo çfarë Brataj tha se është shqetësuese lidhet me faktin, që 61 përqind e të infektuarve po shfaqin simptoma, ndërsa në fillim të pandemisë, vetëm 30% e personave të prekur shfaqin simptoma. Shefi i Urgjencës tha se Shkodra është qyteti me përhapjen më të lartë në bazë të numrit të popullsisë dhe këtë e lidhi me mosrespektimin e rregullave./Opinion