Shefja e epidemiologjisë: 2 javët e ardhshme vendimtare, koronavirusi do vijë sërish në…

Shefja e epidemiologjisë në Shqipëri Eugena Tomini, ka deklaruar se dy javët e para të prillit do të jenë vendimtare, pasi në këtë hark kohor do të shihet trendi i përhapjes së koronavirusit në vend.

Në një lidhje live në Klan me gazetaren Mirela Milori, shefja e epidemiologjisë shtoi se në dy javët në vijim do të ketë një rritje të numrit të rasteve dhe se me afrimin e javës së tretë, parashikohet një ulje e rasteve të prekura me koronavirus në Shqipëri.

Tomini deklaroi se në verë do të vijojnë kontrollet dhe masat, teksa kujtoi se me ardhjen e vjeshtës, koronavirusi do të jetë sërish mes nesh.

Mirela Milori: Me aq sa shohim duke qenë se raportojmë Italinë, Spanjën, a duket sikur nuk janë ato shifrat agresive, për fat të mirë ne nuk kemi statistika agresive dhe në raport me popullatën?

Eugena Tomini: Është shumë e vërtetë Mirela, gjykimi juaj është shumë korrekt. Duke parë një rrethim nga të gjitha anët, që kemi një agresim të transmetimit të virusit. Duket se Shqipëria po përjeton një intensitet të ngadaltë, me një ritëm pak a shumë të njëjtë në këto ditët në vijim. Java që lamë pas, po përsëri ka pasur një pozitivitet me një trend të qëndrueshëm dhe shpresojmë dhe në vijim të kemi të njëjtën situatë, pavarësisht se po testohet çdo rast i dyshuar dhe të gjitha kontaktet e rasteve pozitive, të cilët janë të mundshëm për të shfaqur shenjat e virusit.

Mirela Milori: Jemi bërë gati që ndoshta mund të ketë kjo javë apo java tjetër një agresivitet shifrash?

Eugena Tomini: Sigurisht që pritet trend në rritje i rasteve pozitive dhe sigurisht këto dy javët që ne i kishim parashikuar si piku i shfaqjes së rasteve pozitive shtyhet pak në kohë. Efekte kanë dy masat ekstreme të distancimit social, prej 40 orësh që bëjnë një kufizim më të theksuar të distancimit social dhe sot një masë tjetër e përshkallëzuar e daljes vetëm të një personi nga shtëpia, sipas një sistemi të regjistruar, bëjnë që distancimi social të thellohet akoma dhe më shumë dhe ky distancim do të pengojë dhe transmetueshmërinë e virusit, sepse normalisht nëqoftëse këto masa do ishin lënë të pavendosura, kurba epidemike e pozitivitetit do ishte në nivele të larta aktualisht që flasim.

Mirela Milori: A prisni që të ketë një valë tjetër rritjeje, a është prilli muaji i testit? Nëse kalojmë prillin me këto shifra mendojmë që e kemi fituar betejën e pranverës, se kur të vijë vjeshta nuk e dimë se çfarë do na sjellë.

Eugena Tomini: Deri në javën e dytë të prillit do të jemi në pritje të një trendi të lartë të numrit të të prekurve. Java e tretë e prillit do të shënojë dhe një trend zbritës, por duhet parë njëherë këto dy javë të prillit dhe trendi i tyre rritës. Sigurisht edhe gjatë verës, monitorimi do të jetë i madh dhe sigurisht, në vjeshtë, do të vijë sërish koronavirusi. Por deri atëherë, kemi shumë kohë përpara.

Milori: Deri kur do të ishte këshilla juaj që të vazhdonte ky lloj regjimi?

Tomini: Do thoja që ky lloj regjimi të vijojë deri në javën e tretë të prillit? Më tutje mund të zbusim tek ato grupe të punës që të mos dëmtojmë dhe ekonominë. Por për moshat që janë më shumë të prekura mendoj se duhet ruajtur një masë e distancimit social.

Loading...