Në Shqipëri shega është mijëra vjeçare.
Gjurmët më të vjetra në trojet tona janë gjetur në Butrint si element dekorativ i mozaikëve.
Historikisht kjo pemë kultivohej në pjesën ballore të shtëpive: në oborre, në portën kryesore, rrëzë mureve të gurtë rrethues, për një pamje sa më të bukur.
Së bashku me shegën, aty rriteshin lule të ndryshme, që zbukuronin shtëpitë si një parajsë bimore.
Në fshatra, ende ruhet dhe ka filluar të ripërtrihet kjo traditë. Mbi të gjitha në këtë dekor unik, dallohet shega, si një bimë e brishtë, bukuroshe e përjetshme.
Shegët e Rralla Shqiptare
Shqipëria është me fat. Në vendin tonë rriten shumë lloje, forma apo hibride shegësh, të cilët kanë emërtime të ndryshme sipas zonave ku ato kultivohen.
Kështu veçojmë shegën Devedishe dhe Tivaresha e Shkodrës, shega e Elbasanit, e Lëzhës, Beratit, Gjirokastrës, Delvinës etj.
Por vitet e fundit është rritur shumë kërkesa për shegët Devedishe, të ëmblat plot vlera të Shkodrës.
Shega Devedishe është shumë e përhapur në Veri por edhe në disa zona të tjera. Emërtesat janë të ndryshme sipas zonave, si Devedyshe, Dividishe etj.
Lorenc Çoba, fermer në zonën e Shkodrës, thotë për AgroWeb.org se së fundmi ka rritur ndjeshëm kultivimin e shegëve Devedyshe, pas kërkesës së lartë për eksport.
‘Fillimisht i shisja në tregun vendas, për kërkesa për eksport është shumë fitimprurëse, thotë ai, ndaj ndihem krenar që shega jonë shkodrane na nderon në tregjet evropiane.’