Shembull i mirë – Mjeku ndërpret operacionin për të dhuruar gjak për pacienten

Këtë të shtunë në emisionin “Rudina” në Tv Klan, ishte e ftuar mami Sadete Anastasi, e cila dha një shembull shumë të mirë në fillim të këtij muaji, duke dhuruar gjak për një nënë e cila pati komplikacione.

Në një videomesazh, Shefi i pavionit, Kujtim Albrahimi, falënderoi Sadeten për gjestin dhe u bëri apel të gjithëve të dhurojnë gjak.

“Përshëndetje Sadete, dua të falenderoj nga zemra për veprimin tënd, dhurimin e gjakut në rastin për të cilin je ftuar në emicion, veprim të cilin ti nuk e ke bërë vetëm këtë herë, por edhe disa herë të tjera, në rastet kur kemi patur nevojë.

Jo vetëm ti, por edhe personeli tjetër i maternitetit, mjekët dhe infermierët dhe unë vetë gjithashtu, në raste nevoje për gjak ju kemi gjendur grave.

Meqenëse je në studion e Rudinës dhe bëhet fjalë për një temë që është dhurimi i gjakut, dua të bëj një apel për të gjithë: Dhuroni gjak, gjaku shpëton jetë”, tha Albrahimi.

Por, Sadete Anastasi, solli në vëmendjen e teleshikuesve edhe një rast të veçantë, kur si pasojë e mungesës së gjakut, mjeku Albrahimi, vite më parë ishte detyruar të ndërpriste operacionin për të dhuruar gjak për pacienten, e më pas ta përfundonte ndërhyrjen.

“Dua të tregoj edhe një gjest të doktorit. Para disa vitesh kishim një rast shumë të vështirë. Doktori e ka ndërprerë operacionin, ka dhënë gjak vetë dhe e ka vazhduar operacionin”, tha Anastasi. Albrahimi është i vetmi gjinekolog në rrethin e Librazhdit. /tvklan.al

Loading...