Ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Shemsi Prençi komentoi vrasjen e N. Lekstakaj, ditën e djeshme në Balldren të Lezhës.
Prençi tha se uron që kjo vrasje të mos jetë një gjakmarrje për Ardian Nikulaj, pasi nëse do të ishte e tillë do të nxiste një kalvar të gjatë vrasjesh të tjera.
“Nëse provohet që Lekstakajt kanë goditur Ardian Nikulajn, tregon që Lekstakajt kanë goditur te njeriu më i forti i familjes Nikulaj, një nga njerëzit me pushtet në rang qarku në Lezhë. Nëse Nikulajt do të marrin gjakun e Ardianit edhe sikur të vrasin 10-të, prapë nuk e marrin dot, pasi Ardian Nikulaj ishte dikushi. Ata që kanë organizuar vrasjen e Nikulajt kanë goditur në kokën më të lartë të fisit, unë dëshiroj që vrasja e Nikolin Lekstakaj, të mos jetë për gjakmarrje, pasi do të nxisë një kalvar të gjatë vrasjesh”, tha Prençi.
Ai shtoi se kohët e fundit në Shqipëri ka pasur një rritje të vrasjeve për gjakmarrje duke bërë që fenomeni të jetë shqetësues për zonën e Veriut dhe veçanërisht zonën e Lezhës.
“Të gjithë do të donim të mos jetë gjakmarrje, pasi nëse është gjakmarrje do të jetë një kalvar pa fund.
Nëse Nikulajt kanë qëlluar në shenjë gjakmarrje ndaj Nikolin Lekstakaj, pavarësisht të drejtave zakonore që ata mund të ndjekin është një gabim shumë i madh. Të gjitha gjurmët dhe provat, momenti i ekzekutimit dhe largimi nga vendingjarjes tregon se ekzekutuesit janë shqiptarë. Asgjësimi ka qenë me kallashnikov që është tipike shqiptare dhe e gjakmarrjes.
Gjakmarrja ka dhe disa rregulla zakonore që hasmi duhet të të njoftojë se të kam vrarë.
Nuk do të jetë e mirë për shoqërinë shqiptare që të ringjallet kaq masivisht gjakmarrja në Shqipëri. Për fat të keq ka marrë përmasa dhe rajoni i Lezhës është më problematiku në lidhje me gjakmarrjen si një e drejtë zakonore e Kanunit të Lekë Dukagjinit”, tha Prençi.