“Shën Valentini ndryshe… ” – Nga Genc Demiraj

Nga Genc Demiraj

Shën Valentini ndryshe…

Sot është 14 Shkurti, dita që në mënyrën më snobe është kthyer në festë.

Festa e shën Valentinit…alias, dita e të dashuruarve… Ka filluar që këto vite të pas ’90 -ve, alla shqiptarçe kjo ditë jo ti kushtohet në mënyrën më të figurshme intimitetit dhe privatësisë së të dashuruarve por të festohet masivisht dhe zhurrmshëm me aktivitete koncertale dhe kolektive.

Është kthyer shqiptarisht, nga dita e çifteve të dashuruar në festën e dashurisë pa kufi…Të dashurisë erotike, prindërore, shoqërore pse jo dhe te dashurisë politike dhe shtetërore !! Ndaj edhe de facto, 14 Shkurti është kthyer si biçim feste “Kombëtare” paçka se de jure nuk është “kuqëzuar” në kalendar.
Historia e murgut Valentin që sakrifikoi veten për hir të një çifti të dashuruar dhe që më vonë njerëzimi e hyjnizoi si shenjt, nuk ka nevoj për ritregim.

Ka më shumë nevoj të tregojmë dhe të na ritregojnë më vonë se si ditën e Shën Valentinit, ditën e të dashuruarve, ne e festojmë… ! Është bërë tashmë rituale që në këtë datë, restorantet për çiftet legale të jenë plot, dyqanet për dhuratat të xhirojnë miliona, si dhe motelet për çiftet ilegale të jenë të rezervuara.

Siç është bërë edhe e modës, që një ditë para apo një ditë pas 14 Shkurtit, këto lloj ambjentesh të frekuentohen nga shume shefa, politikanë apo biznesmenë që të “festojnë” me të dashurat e tyre rioshe ato pak çaste relaksuese jashtëmartesore… Është e pahabitshme që në një nga këto ditë dhe për hir të kësaj dite, rondokopër zyrtarësh dhe politikanësh që më shumë se sa për hiret dhe fuqinë e tyre mashkullore kanë potencën e tyre post-ore dhe pasurore, të shoqërohen me çupërlina mëndjelehtash dhe velina sekretaresh seksi.

Është krejt normale, që për këtë ditë, dhuratat më të paimagjinueshme dhe më të shtrenjta, i bëjnë këta biçim të dashuruarish për këto biçim të dashuruarash… Ndërsa të tjerët, të dashuruarit e vertetë të këtij vendi dhuratat, mesazhet dhe urimet e dashurisë nuk i bëjnë me data, ditë apo netë të shenjta por përherë me sytë, me frymën dhe zemrën e tyre..
Sot është 14 Shkurti, dita e të dashuruarve por që ne shqiptarët e “zjarrtë” e kemi kthyer në festë…!! Në festë ku s’mungojnë këngët, vallet dhe hareja…ku shtrohen banketet, mishrat dhe rakia…ku gëzojnë të rinjtë , pleqtë edhe fëmija.

Loading...