Zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ilir Halili, shpjegoi në një intervistë për ATSH-në, se me buxhetin e vitit 2019, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka marrë angazhimin për ofrimin e shërbimit veterinar falas për të gjithë blegtorët shqiptarë.
Kjo qëndron në angazhimin e veterinarisë, qoftë asaj që është në varësi të pushtetit vendor, por edhe të asaj në varësi të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, për plotësimin e të gjitha kërkesave që blegtorët shqiptarë kanë për të marrë shërbim veterinar.
Gjithashtu, tha Halili, “edhe në paketën fiskale 2019 është hequr TVSH-ja për shërbimin veterinar në fermë”.
“Pra çdo subjekt, privat që kryen shërbim veterinar, do ta kryejë atë me TVSH zero”, – tha Halili për ATSH-në.
Numri dy i institucionit të Bujqësisë theksoi se këto janë dy masa të rëndësishme që i shërbejnë një nga prioriteteve të qeverisë për rritjen e sigurisë ushqimore në vend dhe gjurmueshmërisë së shëndetit të bagëtive.
Këto lehtësi për sektorin e blegtorisë, janë një hap që i shërben plotësimit të standardeve të sigurisë ushqimore sipas kërkesave të Bashkimit Europian, ku vendi ynë aspiron të aderojë, tha zv.ministri Halili. /atsh