Policia e Durrësit ka ndërhyrë për të parandaluar një sherr mes disa personave në Shkozet, por edhe efektivët kanë rënë pre e dhunës.
Uniformat blu kanë ndërhyrë pas një telefonate se në Shkozet, në afërsi të një karburanti, po ndodhte një konflikt mes disa personave.
Dy prej protagonistëve të ngjarjes kanë kundërshtuar edhe efektivët, duke i dhunuar.
Por, policia ka thirrur në ndihmë forca shtesë, duke arritur të neutralizojë autorët dhe t’i arrestojë ata.
Njoftimi i policisë:
Durrës
Policia ndërhyn për të parandaluar një konflikt mes disa personave, dy prej pjesëtarëve në konflikt kundërshtojnë me dhunë punonjësit e Policisë.
Policia ka neutralizuar dhe prangosur dy personat që goditën punonjësit e Policisë për shkak të detyrës. Në sallën operative ka ardhur një telefonatë se në Shkozet, në afërsi të një karburanti po ndodhte një konflikt mes disa personave.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në drejtim të adresës së dhënë dhe kur kanë mbërritur, dy prej personave të përfshirë në konflikt kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë.
Shërbimet e Policisë pas ardhjes në ndihmë edhe të shërbimeve të tjera të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës kanë bërë të mundur neutralizimin dhe prangosjen e tyre. Në përfundim të verimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
M. H., 44 vjeç dhe F. H., 35 vjeç, banues në lagjen Nr. 14, Durrës për veprën penale “Kundërshtimi me dhunë i punonjësve të policisë të rendit publik, kryer në bashkëpunim”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme.