Është arrestuar një prej autorëve të dyshuar të masakrës së Çoles. Bëhet fjalë për shtetasin Ani Begaj.
Kujtojmë se në masakrën e ndodhur në lagjen Çole të Vlorës, në vitin 2015 mbetën të vrarë tre të rinj.
Në këtë ngjarje humbën jetën 29-vjeçari Akil Hasanaj (emri i mëparshëm Haki Rakipi), 27-vjeçari Ardi Velaj (emri i mëparshëm Ferdian Velaj) si dhe 21-vjeçari Albi Limaj.
Kjo ngjarje ka ndodhur si pasojë e një sherri banal të nisur në një kazino të qytetit bregdetar.
Sipas hetuesve të çështjes, kanë qenë Hasanaj dhe Velaj që nisën konfliktin, duke dhunuar në një lokal lojërash fati 21-vjeçarin Xhuliano Lutaj.
Disa orë pas sherrit, shokët e këtij të fundit kanë shkuar në lokalin ku ndodhi ngjarja dhe janë hakmarrë.
KONFLIKTI
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se rreth orës 04:00 të mëngjesit të së martës, Xhuliano Lutaj ka qenë në shoqërinë e shokut të tij, Albi Limaj në një kazino në afërsi të portit të qytetit të Vlorës kur është konfliktuar me Akil Hasanajn dhe Ardi Velajn.
Mësohet se këta të fundit, të pajisur me armë zjarri kanë ofenduar dhe dhunuar Lutajn.
I indinjuar, 21-vjeçari i ka treguar Limajt për dhunën e ushtruar ndaj tij, në momentin që ai nuk ndodhej në kazino. Më pas Limaj ka kërkuar ndihmën e Aleksandër Llanajt për të marrë hakun e shokut.
Pasditen e së martës, shtetasit Aleksandër Llanaj, Albi Limaj, Ani Begaj, i cili drejtonte automjetin tip “BMW X5” me targa AA 323 AO dhe Bertil Alliaj kanë shkuar në afërsi të lokalit “Adore” për t’u takuar dhe sqaruar me Hasanajn dhe Velajn.
Burimet e mësipërme pohuan se nga makina tip “BMW” kanë zbritur Albi Limaj dhe Aleksandër Llanaj, të cilët sapo janë takuar me Akil Hasanajn dhe Ardi Velajn, kanë nisur konfliktin, i cili ka degraduar me përdorimin e armëve të zjarrit.
Për pasojë nga shkëmbimi i zjarrit kanë mbetur të vdekur 29-vjeçari Hasanaj, Velaj dhe Limaj si dhe është plagosur rëndë Aleksandër Llanaj, i cili është transportuar në spitalin e Vlorës ku ndodhet nën kujdesin mjekësor.
Ndërsa, Bertil Alliaj gjatë shkëmbimit të zjarrit ka zbritur nga makina dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
Po të njëjtat burime thanë se Xhuliano Lutaj, për të cilin ndodhi konflikti nuk ndodhej në vendin ku u zhvillua “beteja” mes shokëve të tij dhe dy të rinjve që e dhunuan.