Pas sherrit që u shënua këtë të diel në Elbasan mes militantëve të PS-PD, reagoi edhe deputetja Rudina Hajdari.
Ajo deklaroi në rrjetet sociale se nga kjo ngjarje qytetarët duhet të kuptojnë se kë të votojnë në 25 prill.
“Përplasja e dhunshme sot, mes militantëve të PS e PD në Elbasan, është pasqyra më e qartë e degradimit të kësaj klase politike e cila nuk ka më ide por vetëm muskuj. Teksa qytetarët kishin dalë për të shijuar ditën e verës, bandat politike e shndërruan qytetin në fushëbetejë duke prishur gjithë atmosferën dhe duke shkaktuar panik. Fushata elektorale nuk mund të jetë garë muskujsh, sharjesh, grushtash apo armësh, por garë idesh dhe projektesh mbi të ardhmen e njerëzve. Qytetarët nuk mund të zgjedhin mes dy bandave por duhet të zgjedhin mes ideve që konkurrojnë nëpërmjet debatit publik dhe konstruktiv. Koha ta mbyllim këtë kapitull të shëmtuar dhe të shohim nga e ardhmja. Në 25 Prill mos i voto më bandat!”