Ministrja e Kulturës, Elva Margati ka urdhëruar shkarkimin e Iris Elezit nga posti i drejtoreshës së Arkivit të Filmit. Shkarkimi i Elezit vjen për ”konflikt interesi në ushtrimin e funksionit publik”. Sipas urdhrit për lirimin e menjëhershëm të firmosur nga Margariti, gjatë ushtrimit të detyrës, Elezi ka kryer një sërë shkeljesh duke vepruar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.
Shkeljet e drejtoreshës së Arkivit të Filmit, janë zbuluar pas ankesës së disa punonjësve të arkivit, lidhur me praninë fizike në institucion të bashkëshortit, Tomas Logoreci dhe të afërmve të tjerë, por edhe punësimit të tij prej 1 viti si supervizor në një projekt të brendshëm. Ndërkohë, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer auditim nga data 08.09.2020 deri më datë 06.11.2020 në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Filmit. Sipas KLSH nga verifikimet është konstatuar nuk ka pajisje teknologjike për matjen e temperaturës dhe lagështirës.
“Nga verifikimi i ambienteve të arkivave shtetërore vendore në Lushnje, Rrëshen dhe Shkodër, u konstatua se:
– Nuk ka pajisje teknologjike për matjen e temperaturës dhe lagështirës (përjashtojmë këtu Arkivin Qendror), duke ndikuar në mungesën e monitorimit të vazhdueshëm të kushteve mikro-klimatike e për pasojë rëndimin e kushteve fizike për ruajtjen e dokumenteve, të cilat aktualisht janë jashtë standardeve të miratuara në normat tekniko-profesionale dhe metodologjike të shërbimit arkivor në Republikën e Shqipërisë. Ambientet e jashtme dhe të brendshme të godinave kanë lagështirë të konsiderueshme, si një nga elementët kryesorë të shkatërrimit të dokumenteve fizik e për pasojë humbjen e tyre në rastin më të keq, apo qoftë edhe vështirësi në procesin e dixhitalizimit.
– Godinat aksesohen nga punonjësit nëpërmjet hapjes së dyerve me çelës, ndërsa chip-i i përdorur shërben më shumë si kohëshënues i hyrje daljeve dhe jo si evidentim i personit që ka hyrë.
Check-im dhe evidentim i personelit kryhet vetëm në Arkivin Qendror, por edhe në këtë rast, hyrja është deri në nivelin e derës kryesore, dhe jo në nivel dhome ruajtjeje dhe kurrsesi në nivel dosjeje.
– Në vend ruajtjen e Rrëshenit nuk ka sistem për detektimin dhe fikjen e zjarrit. (Më hollësisht trajtuar në pikën (2.5) faqe (38-48) të Raportit Përfundimtar të Auditimit),” thuhet në njoftimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Gjithashtu, KLSH rekomandon Drejtoinë e Përgjithshme e Arkivave, duke marrë në konsideratë burimet e nevojshme dhe të disponueshme, të marrë masat e nevojshme, për përmirësimin e kushteve fizike të ruajtjes së dokumentacionit të arkivuar, duke implementuar edhe sisteme të teknologjisë së informacionit të cilat do të shërbenin për krijimin e standardeve optimale për ruajtjen e tyre. Sakaq, Iris Elezi u emërua drejtoreshë në Arkivin e Filmit në vitin 2017.