Pas disa muajve në krye të institucionit më të rëndësishëm energjitik në jug te vendit, Dashamir Qeli është shkarkuar ditën e sotme nga kreu i OSHEE-së Ardian Cela.
Ka qenë një vendim jo i papritur ky për Qelin pasi më parë ishte paralajmëruar dy herë përmes verejtjeve të konstatuara nga kreu i përgjithshem i OSHEE si pasojë e nivelit të lartë të humbjeve në rrjet në rajonin e Gjirokastrës. Dashamir Qeli u emërua në krye të OSHEE Gjirokastër në fund të muajit nëntor të vitit të kaluar duke qenë drejtori më jetëshkurter në historinë e OSHEE për këtë qark.
Kujtojme së kur Dashamir Qeli u emërua drejtor në objektet e tij (pronë e tij) ishin edhe zyrat e OSHEE-së ku behëshin pagesat e faturave të energjisë elektrike, por kjo nuk u pa me shqetësim asokohe nga drejtori i përgjithshëm Çela. Po ashtu ai nuk mori parasysh as faktin që Qeli ishte me precedent penal, dhe ishte shkarkuar nga posti i mëparshëm, me vendim të kryeministrit Edi Rama.
Qeli mbahet mend për blerjen me një tender informal për ndërtimin e sistemit të ri informatik për ‘FAF’ me vlerë 22 milionë lekë të rinj dy vjet më parë. ‘FAF’ që është Shoqëri e Zhvillimit Rural ku qarkullojnë miliona euro në muaj, qarkullon shuma të mëdha të hollash më shumë se çdo ministri tjetër.
Pas denoncimit në media të aferës për blerjen e sistemit të ri informatik të ‘FAF’, Dashmir Qeli shkarkohet me vendim të kryeministrit Rama. Prej 1 viti e gjysmë Qeli ka qëndruar pa punë si anëtar në Këshillin Bashkiak të Gjirokastrës. Ai ka kryer studimet për Histori-Gjeografi dhe Kontabilitet-Financë në vitet 1995-2010 në një kohë kur ushtronte funksione të larta publike si drejtor i Ndërmarrjes së Ujësjellës Gjirokastër 2008-2016.
Por ajo që Qeli nuk do të donte t’i zbulohej, ka qenë goditja për shkak të detyrës që ka bërë ndaj avokatit gjirokastrit Bernard Aliko në majin e largët të 2003 duke ushtruar dhunë në sallën e gjyqit në Gjykatën e Shkallës së Parë në Gjirokastër. Në atë periudhë Qeli ka qenë doganier në Kakavije dhe njëkohësisht kreu i FRESSH Gjirokastër. Qeli u arrestua për dhunën e ushtruar ndaj Bernard Alikos dhe u lirua në sallën e gjyqit tre ditë më pas duke paguar një shumë prej 150 mijë lekësh të rinj si garanci që i vendosi gjykatësja Blerta Cibuku. Pas kësaj Qeli u rikthye në doganë./lajmifundit