Shkodrani bën për spital policin pasi i vuri gjobë,shpallet në kërkim

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Shkodrës një ditë më parë. Një shtetas ka goditur në mënyrë brutale një punonjës policie. Shtetasi i identifikuar nga policia si Indrit Shtegu ka rrahur punonjësin e policisë vendore të Shkodrës Hysni Idrizi.

Ngjarja ka ndodhur në qendër të qytetit të Shkodrës në lagjen ‘Parrucë’ në orët e pasdites. Shtegu, i cili është shpallur në kërkim ka parkuar në kundërvajtje mjetin triçikël në lagjen ‘Parrucë’ duke e vendosur në një parkim dysh. Në atë moment efektivi Idrizi është gjendur aty dhe i ka vendosur një gjobë drejtuesit për parkim në kundërvajtje. Në atë moment Shtegu ka debatuar me efektivin e policisë, Idrizi dhe pas debatit të tyre e ka goditur në fytyrë me grushte ndërsa mësohet se e ka dëmtuar konsiderueshëm. Pas kësaj ngjarje efektivi i policisë, Idrizi është dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës ndërsa mësohet se ka thyer nofullën dhe është nën kujdesin e mjekëve. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forca të tjera të policisë duke nisur hetimet për ngjarjen e rëndë të ndodhur në qendër të qytetit.
Nga kontakti i policisë me familjarët mësohet se këto të fundit janë shprehur duke i thënë efektivëve se Shtegu ka probleme të shëndetit mendor megjithatë kjo mbetet për t’u verifikuar. Tashmë policia vijon kërkimet për arrestimin e Shtegut, i cili akuzohet për veprën penale “goditje për shkak të detyrës ndaj punonjësit të policisë” si dhe “kundërshtim me forcë i punonjësit të policisë”.

Loading...