Shkrimtari i shquar austriak, Robert Menasse u nderua sot gjatë një ceremonie të zhvilluar në Vlorë me titullin “Doctor Honoris Causa”, akorduar nga Senati Akademik i Universitetit “Ismail Qemali” i qytetit bregdetar.
Menasse u nderua me titullin e lartë me motivacionin “Për veprën e tij letrare me rrezatim europian e botëror me vlera të shumanshme universale dhe estetike, problematikën e gjerë humane e metafizike në funksion të edukimit me bashkëjetesën globale, me në qendër njeriun dhe psikologjinë bashkëkohore të tij, për frymëzimin modern nga vlerat e botës dhe shoqërisë shqiptare, të orientuara historikisht drejt virtyteve dhe kulturës europiane”.
Robert Menasse vlerësohet mes emrave më të spikatur të letërsisë europiane. Ai është fitues i disa çmimeve prestigjioze, mes tyre, dhe “Deutsche Buchpreis”, i barazvlefshëm me Man Booker Prize.
Duke folur në emër të Senatit Akademik, të departamentit të Gjuhëve të Huaja (propozues i titullit), studentëve, personelit akademik të Universitetit të Vlorës, që mban emrin e themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemali, rektori, prof. dr. Roland Zisi, falënderoi shkrimtarin që pranoi ftesën për të qenë i pranishëm në këtë ceremoni, e cila çel edhe siparin e kremtimeve 25-vjetorit të krijimit të Universitetit, në tetor të vitit 1994.
“Shpresojmë dhe besojmë se kjo ceremoni do të jetë, një ogur i mirë, jo vetëm për madhështinë dhe cilësinë e festimeve, por edhe për perspektivën europiane të institucionit tonë, i cili konfirmon edhe një herë traditën dhe filozofinë e tij të vlerësimit, nderimit dhe respektimit të figurave të shquara, brenda dhe jashtë vendit, të intelektualëve europianë dhe botërorë, autoriteteve të spikatura të arsimit, shkencës, kulturës, politikës, biznesit etj.”, – theksoi Zisi.
Sipas tij, duke nderuar shkrimtarin Menasse me diplomën e nderit “Doctor Honoris Causa”, Universiteti “Ismail Qemali”, nderon dhe respekton europianin i cili e do Shqipërinë, shkrimtarin dhe intelektualin europian që lufton për vlerat e lirisë dhe bashkëpunimit vëllazëror, shkrimtarin i cili analizon në mënyrë origjinale e të posaçme vlerat e njeriut modern, psikologjinë dhe metafizikën njerëzore në të gjitha dimensionet e saj.
“Nëse marrim parasysh origjinën, identitetin, karrierën letrare dhe kontributet e Menasse, kjo ceremoni, në mënyrë të natyrshme, verifikon dhe evokon edhe një herë relacionet e shkëlqyera historike shqiptaro-austriake në shekuj, në kontekstin e të cilave, veprimtaria e tij është një dëshmi origjinale e kohëve moderne dhe vijim logjik i këtyre relacioneve”, – nënvizoi rektori, prof. dr. Roland Zisi, duke shtuar se, këta intelektualë austriakë, vazhdojnë traditën e paraardhësve: priftërinjve, politikanëve, diplomatëve, ushtarakëve dhe sidomos të albanologëve që kanë kontribuar aq shumë për çështjen shqiptare.
Rektori Zisi shtoi se “mes tyre, themeluesi i albanologjisë moderne – Johann Georg von Hahn, i cili 160 vjet më parë u kushtoi shqiptarëve një nga punët e tij më cilësore, librin “Studime shqiptare”. Ndërkohë, Maksimilian Lambertz ishte një tjetër albanolog austriak shumë i njohur, që në vitet 1916-1918 ishte studiuesi i vetëm i huaj anëtar i “Komisisë Letrare Shqipe”, një forum që dha një ndihmesë të madhe në unifikimin e gjuhës shqipe”.
Nga ana e saj, dr. Vilma Bello, pedagoge e departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë në Universitetin “Ismail Qemali”, njëkohësisht deputete e Vlorës, foli në cilësinë e një prej relatoreve të vlerësimit “Doctor Honoris Causa”, për shkrimtarin Robert Menasse.
Bello bëri një përshkrim të jetës së shkrimtarit, duke u ndalur në momentet kryesore të krijimtarisë së tij.
Sipas saj, në vitin 1989, revista “Littérature et critique” ishte ajo që botoi poezinë e parë të Robert Menasse-s (“Dhimbje koke”), ndërkohë që romani i tij i parë ishte botuar që në vitin 1988 rreth një historie gjysmautobiografike dhe trajton jetën e austriakëve në mërgim, saktësisht në Brazil, ku jetoi edhe Menasse.
Sipas saj, qysh atë kohë, Menasse ka botuar disa romane dhe krijime të ndryshme.
“Kritika ka nënvizuar se gjuha stilistike e tij është ndonjëherë lozonjare, por jo rrallë edhe mjaft sarkastike. Temat më të pranishme në romanet e këtij autori janë vetmia dhe tjetërsimi brenda marrëdhënieve njerëzore, krijuar si pasojë e rrethanave të jetës apo karakterit të personazheve”, – u shpreh Vilma Bello, duke theksuar se, në veprën e tij, Menasse shpesh qorton atë që ai e vështron si formë të fshehtë të antisemitizmit, një dukuri kjo ende e përhapur sot në botën gjermanofolëse.
Romanet e Robert Menasse-s, në këndvështrimin e Bellos, shpesh kanë referenca të gjera e të thella filozofike, duke iu referuar herë filozofëve Hegel, Spinoza, etj.
“Robert Menasse ka shkruar gjithashtu edhe disa ese të rëndësishme e të çmuara mbi Austrinë (veçanërisht mbi identitetin dhe historinë austriake). Kohët e fundit, ai shkroi edhe mbi të ardhmen europiane dhe Bashkimit Europian, duke kritikuar prirjet e ringjalljes së nacionalizimit (veçanërisht në Gjermani, por edhe diku tjetër) si edhe lëvizjet anti-europiane të integrimit, të cilat ai i interpreton si një reagim ndaj krizës financiare të euros gjatë viteve 2007-2008 dhe pasojat e saj sot”, – vijoi më tej dr. Vilma Bello në fjalën e saj, ndërkohë që shtoi se, në vitin 2017 Robert Menasse botoi romanin e tij analitik me titull “Die Hauptstadt” (Kryeqyteti), i cili është përshkruar si romani i parë kushtuar Brukselit të shekullit XX, si kryeqytet i Bashkimit Europian, në rrugët me kalldrëm të të cilit zhvillohen disa nga ngjarjet tronditëse të ditëve tona.
Kjo vepër u vlerësua me “Deutscher Buchpreis” (i barazvlefshëm me “Man Booker Prize” apo “Prix Goncourt”) një çmim i përvitshëm ky, që ofrohet nga “Shoqata Gjermane e Botuesve dhe e Librarëve” për romanin më të mirë në gjuhën gjermane gjatë vitit.
Në vlerësimin e saj për këtë vepër letrare, dr. Vilma Bello shprehet se, historitë jetësore të personazheve e çojnë lexuesin në gjashtë vende të Bashkimit Europian. Ngjarja ka në qendër zyrtarë të Departamentit të Kulturës, prej të cilëve pritet ta përmirësojnë, t’i japin një lustër a t’i kthejnë shkëlqimin e venitur imazhit të Komisionit të BE-së, në një nga përvjetorët e tij. Kjo do të realizohej përmes një veprimtarie të llojit “Big Jubilee Project”, ku përfshihen të mbijetuarit e kampit të përqendrimit në Aushvic.
Romani “Kryeqyteti” është vlerësuar lart nga kritika letrare si një nga panoramat më “gjithëpërfshirëse, pothuajse balzakiane”, shkruar në traditën më të mirë e më të pasur të romanit europian. Vepra paraqet atë mjedis dhe ato marrëdhënie të ndërlikuara, që letërsia, si asnjëherë më parë, nuk e ka marrë në shqyrtim në mënyrë aq të spikatur.
Përveç krijimtarisë së vet të çmuar ndërkombëtarisht, Robert Menasse spikat edhe në veprimtarinë e tij në dobi të letërsisë dhe të shkrimtarëve. Një prej tyre është edhe rithemelimi i çmimit “Jean Améry”, që jepet për eseistikën më të mirë europiane. Ky çmim u ringjall nga Robert Menasse, falë fondit që ai dhuroi pasi kishte fituar “Çmimin e Shtetit Austriak për Letërsinë” (1998 – ky çmim jepet çdo vit ose një herë në dy vjet për artistë të shkëlqyer prej moshave të reja e të mesme nga fusha të ndryshme të artit).
Për romanin “Kryeqyteti” me të cilin fitoi çmimin e romanit më të mirë të vitit në Gjermani për të cilin, juria, e argumentoi: “Si natyrë, njeriu është gjithmonë i prirur të aspirojë, por njëkohësisht, të jetë i besueshëm”.
“Por, sa vlen kjo edhe për një institucion madhor siç është Bashkimin Europian, këtë na e tregon në një mënyrë të fuqishme Robert Menasse me romanin e tij, “Kryeqyteti”, ku ai gërmon në mënyrë dramatike në shtresat e thella të botës që ne e quajmë tonat”, – nënvizoi Bello.
Nga ana e tij, shkrimtari austriak shprehu mirënjohjen për atë që ai e cilësoi “vlerësim të jashtëzakonshëm, akorduar nga një universitet që mban emrin e themeluesit të Shtetit Shqiptar”.
Menasse në fjalën e vet, tregoi se, në shekullin e 20-të, ishte vetëm një shkrimtar holandez që udhëtoi nëpër Shqipëri dhe bëri një përshkrim të vlerave të këtij vendi dhe popullit të tij, në një botim shumë intrigues, ku shqiptarët përshkruhen si një popull që kanë qenë vazhdimisht në luftë kundër pushtuesve. “Unë do të jem shkrimtari i dytë europian, që do të shkruaj një roman ku të përshkruaj këtë vend dhe këtë popull, por në sensin e kundërt, në atë dëshirë të fortë që kanë shqiptarët, për t’u bërë pjesë e Europës së Bashkuar”, – nënvizoi Menasse.
Në këtë ceremoni, foli edhe deputeti Fate Velaj, i cili theksoi se, Vlora ka nevojë për njerëz si shkrimtari i shquar, Robert Menasse.
Po ashtu, edhe pedagogia e këtij universiteti, prof. dr. Armela Panajoti, bëri një vlerësim të veprës së shkrimtarit.
Robert Menasse lind në Vjenë, në vitin 1954. Studioi gjermanistikë, filozofi dhe shkenca politike në Vjenë, Salzburg dhe Messina. Nga viti 1981 deri në vitin 1988 Menasse punoi si pedagog në Institutin e Teorisë së Letërsisë pranë Universitetit të São Paulo-s në Brazil. Me t’u kthyer nga Brazili në Europë, Robert Menasse jetoi mes Berlinit, Vjenës dhe Amsterdamit, duke punuar si publicist i pavarur, kritik dhe përkthyes nga gjuha portugeze në gjermanisht.
Kjo ceremoni është e treta e këtij lloji zhvilluar në Universitetin “Ismail Qemali”, në të cilat nderohen personalitete austriake.
Vitin e kaluar u nderua ish-kancelari Alfred Gusenbauer. Po ashtu, një muaj më parë, u nderua ish-ambasadori austriak në Shqipëri, zoti J. Sattler./atsh