Teksa përsëriti edhe njëherë këshillat për qytetarët për t’u mbrojtur nga koronavirusi, kryeministri Edi Rama iu bëri thirrje të gjithë të rinjve të shmangin lokalet dhe klubet e natës, ku kërcënohet e këndohet.
Gjatë fjalës së tij në mbledhjen urgjente të qeverisë, Rama theksoi se është një situatë kritike në të gjithë botën, por qytetarët duhet të ruajnë qetësinë dhe të tregojnë shumë kujdes me higjienën, por edhe me të moshuarit që kanë nëpër shtëpi, duke shmangur kontaktet me ta.
“Kjo epidemi ka një specifikë të rëndësishme, në kohën që jetojmë. Vetëm 10 vite më parë, një epidemi ka marrë gjysmë milioni njerëz dhe siç e dini në Shqipëri nuk kemi pasur një situatë alarmi të tillë.
Alarmi vjen edhe si pasojë e faktit se çdo gjë që ndodh në një cep të globit menjëherë shfaqet në çdo vend të globit përmes ekranit.
Dikush teshtinë në një anë të botës dhe dëgjohet në anën tjetër. Kjo ndikon psikologjikisht te çdo njëri prej nesh.
Është themelore të kuptohet se gjithë kjo hije e madhe kërcënuese përballohet me disa masa, që janë fare të thjeshta, kufizimi i kontakteve fizike, larja e duarve. Është e rëndësishme për gjithë të rinjtë, që po i provojmë nga vajtja në shkollë, që të shmangin grumbullimet e mbrëmjes në lokale dhe klubet e natës, ku kërcehet e këndohet, sepse kontakti është shumë i afërt.
Rrezikshmëria nuk ësht6ë te të rinjtë, por bartja e virusit te të moshuarit nëpër shtëpi. Duhet të bëjmë çmos të ruajmë të moshuarit, të kufizojmë kontaktet tona, t’i mbajmë larg kontakteve me ne, kjo do të thotë për fat të keq sa më pak prekje me duar dhe sa më shumë kujdes. Është e pamundur që ne të mos i marrim këto masa.
Ne i lutemi të gjithë njerëzve të kuptojnë se nuk ka nevojë të shkojnë në spitale, për të verifikuar nëse janë apo jo të prekur, mjaftojnë të marrin në telefon. Edhe rastet e konfirmuar mbrëmë në mesnatë kanë telefonuar në numrin 127.
Mbyllja e kufijve nuk na çon gjëkundi. Murtaja përfshiu gjithë globin dhe nuk kishte as avionë, as udhëtime. Kush del nga një zonë e kuqe, duhet të vetëkarantinohet për të mirën e tij, të familjarëve dhe të të tjerëve. Masa të thjeshta, që kërkojnë pak disiplinë.
Sa i përket masave më komplekse, ato janë marrë. OBSH çdo ditë qarkullon informacion. Duhet ta marrim këtë gjë me gjithë seriozitetin e duhur, por nuk ka ardhur fundi i botës. Jemi përballë një situate kritike, por të administrueshme. Nuk ka ardhur një murtajë, që do marrë gjysmën e botës”, tha Rama.