Shokë, miq, kolegë: Para pak ditësh ka dalë një akt administrative që ligjërisht i thotë “Mjaft”, karrierës time ushtarake-Fjala e kolonelit te ushtrisë !

FALEMINDERIT FORCAVE TË ARMATOSURA!
Kolonel Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Shokë, miq, kolegë, bashkëpuntorë të të gjithë niveleve, Po ndaj me ju një njoftim të pritshëm të karakterit ligjor: Para pak ditësh ka dalë një akt administrative që ligjërisht i thotë “Mjaft”, karrierës time ushtarake. Përfundimin e karrierës ushtarake, në vend të fjalëve “lamtumirë armë!”, zgjodha “Faleminderit Forcave të Armatosura!” Ka qenë një akt krejtësisht ligjor, pas përafërsisht katër dekada nën uniformë (bashkë me vitet e arsimimit ushtarak). Isha në Ushtri/Forcat e Armatosura me dëshirë, jo i detyruar dhe as i prangosur. Ushtria/Forcat e Armatosura ishin liria e vetzgjedhur dhe jo burgu im, prandaj e desha gjithë jetën dhe do ta dua, dhe t’ju uroj sukses e prosperitet miqëve e kolegëve që vijojnë denjësisht detyrat në këtë organizatë krenare e dinjitoze, që meriton gjithmonë respekt! Me këtë rast uroj edhe Gëzuar e prosperitet të mëtejshëm për vitin e ri 2020 për Forcat e Armatosura.
Nuk besoj që ka ushtarak karriere që ka ndjesinë njerëzore e dashurinë njerëzore të mos ndjejë nostalgjinë e viteve të shërbimit për shtetin çka nuk është një vështrim i shtrembër dramatik dhe as tragjedik, sepse për këdo vjen një ditë që duhet të vetëthotë “Mjaft!”, siç mund e duhet të thotë kushdo me ndërgjegje të qetë njerëzore. Me këtë rast uroj vijimësinë, krenarinë dhe dinjitetin e brezave në përmbushje të misionit, në një prej sektorëve më të vështirë atë të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare! Është e natyrshme se “përjetësia, i përket vetëm hyjnorëve të të mbinatyrshmëve”, ndërsa të flasësh me këmbë në tokë gradat ushtarake, funksionet e karrierës ushtarake, e në tërësi ato shtetërore janë të limituara ligjërisht, ashtu dikurse është e duhet të jetë.
Ndërprerja e karrierës ushtarake ka qenë e mirëseardhur me qetësi, një derë e hapur për limitin e moshës, që për mua në fakt më “çliron” dhe më “shkarkon” nga ngarkesat që rrjedhin nga të qenit ushtarak, edhe pse në rrethet intelektuale është e gjithëpranuar se nenit 14 i Ligjit të karrierës, “për kohën maksimale të qëndrimit në gradën aktive” është një gjetje legjislative e pamenduar, e pagjykuar mirë, e pamatur dhe e parsyetuar. Një brez i ri po rritet në ushtrinë tonë 108 vjeçare, sikurse dhjetra breza unë bashkë me kolegët e mi përgatitëm në dekada e deri në brezin më të ri të oficerëve një grup ushtarakësh prej 54 vetësh që diplomuam në korrikun e vitit 2019-të dhe që po kontribuojë si gjenerata më e re e Forcave të Armatosura që do të transpetojë stafetën e korpusit ushtarak të fushës së Mbrojtjes dhe Sigurisë së Atdheut tonë. Ata janë vijuesit Euroatlantikë të mbrojtjes e sigurisë së vendit. Unë besoj se brezat që do të vijnë do të bëjnë sa NE, dhe më shumë, me arsim më cilësor, me angazhin të plotë euroatlantik, me meritokraci e solidaritet njerëzor, me drejtim profesional në të gjithë zinxhirin e drejtimit ushtarak.
Unë isha ushtri/FA 3 vjet në Shkollë e Lartë të Bashkuar të Oficerave dhe kisha fat për një karrierë të gjatë ushtarake, kam njohur qindra miq, shokë, kolegë, eprorë e vartës brenda dhe jashtë vendit. Që prej fillimeve të mia ushtarake Ushtrinë/Forcat e Armatosura e kanë drejtuar 14 shefa të shtabit të Përgjithshëm: Veli Llakaj; Kiço Mustaqi; Kolonel Halim Abazi; Gjeneralmajor Kostaq Karoli; Gjenerallejtënant Ilia Vasho; Gjeneral me katër yje Sheme Kosova; Gjeneralmajor Adem Çopani; Gjeneral Brigade Aleks Andoni; Gjenerallejtënant Pëllumb Qazimi; Gjenerallejtënant Luan Hoxha; Gjeneralmajor Maksim Malaj; Gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi; Gjeneralmajor Jeronim Baze; Gjeneralbrigade Bardyl Kollçaku. Ndërsa prej fillimeve të mia ushtarake Ushtrinë/Forcat e Armatosura e kanë drejtuar 18 Ministria të Mbrojtjes. Kur kam filluar studimet në shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerave ka qenë Ministër i Mbrojtjes Kadri Hazbiu e pas tij Prokop Murra, Kiço Mustaqi, Ndriçim Karakashi, Perikli Teta, Alfred Moisiu, Safet Zhulali, Shaqir Vukaj, Sabit Brokaj, Luan Hadaraga, Ilir Gjoni, Ismail Lleshi, Luam Rama, Pandeli Majko, Fatmir Mediu, Gazmend Oketa, Arben Imami, Mimi Kodheli e Olta Xhaçka, pra 18 ministra mbrojtjeje.
Vitet ushtarake si oficer, kanë kujtime, që shikohen me kënaqësi, por edhe me “hostenin” e kritikës. Ndërkohë që një proverb i lashtë thotë “Rininë e ka bërë Perëndia për të bërë gabime, ndërsa mugutirën e moshës për t’i kujtuar ato, pse jo edhe për të qeshur me to!”. Puna e çdo oficeri është vështirësi dhe plot sakrifica, në dimër e verë, që ka edhe një komunitet civil që e ka të vështirë të kuptojë një veprimtari gjithë ushtarake në garnizon pa orar, me telashet e familjes dhe të punës. Profesioni oficer është zgjidhja e karaktereve të fortë e të qëndrueshëm, besnikë dhe të bindshëm, nuk është kurrësesi vendi “për ta shtyrë”.
Në të gjitha ditët në shërbim të Forcave të Armatosura kam qenë veçse një ushtar i bindur i vendit tim, i bindur me ndërgjegje për peshën e përgjegjësisë për gjakun që më rrjedh në deje, të vuajtjeve e drithërimave të brezave në dekadat e shumta me vullnet të plotë kam dhënë djersë e mund me ndershmëri, pastërti e pasion, me dëshirë dhe nerv pune dhe këtë nerv pune e temp të përditshmërisë në shërbim të FASH e kam transmetuar edhe tek vartësit dhe tek kolegët! Kam vlerësuar emër për emër çdo epror, që ka punuar si një shtetar i mirë dhe ndonjë tjetër që ka punuar sipas mënyrës e stilit të vet të punës. Misioni dhe e mira e përhershme e Forcave të Armatosura ka qenë synimi im.
Nga dita e parë e studimeve ushtarake e deri në fund të karrierës ishte një sfidë për t’u kapërcyer dhe pas përfundimit të studimeve në Shkollën e Bashkuar në Fakultetin Gjithëarmësh kam dalë oficer në një kohë që nuk kishte grada, çka nuk kam mbajtur gradat nëntoger e toger, por pas tetë vjetësh punë kam marrë gradën “kapiten”. Më pas kam vazhduar studimet në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm në Tiranë. U jam nënshtruar të gjitha kualifikimeve shkencore si mbrojtjen e “Pedagogjisë”, “Psikologjisë”, “Filozofisë” dhe “Gjuhën Angleze” në Universitetin e Tiranës dhe aktualisht jam me gradën “Doktor i shkencave” dhe kam marrë titullin akademik “Profesor Asoc”. Më pas për tre vite kam kryer Akademinë e Luftës Tokësore në Stamboll, kam përfundur studimet në Universitetin e Tiranës pa shkëputje nga puna për katër vite në Degën Histori etj. Rezultatet e punës dhe progresi më kanë shoqëruar gjithë jetën në karrierë ushtarake dhe asnjë arritje nuk më ka vetkënaqur. Në tre dekadat e fundit kemi qenë në reformë të thellë për të arritur standardet, si dhe ristrukturime me e pakriter, ku shumë kolegë janë larguar nga detyra, edhe pse kanë qenë bindshëm në anën e pozitivitetit të ristrukturimit ushtarak. Duket sikur në jetën ushtarake vështirësitë kalojnë më lehtë, sepse fryma e kolektivitetit është në një shkallë më të lartë se sa në fushat e tjera të jetës. Vështirësitë kalohen nuk numurohen. Në karrierën time ushtarake kam kryer 23 funksione ushtarake që kanë qenë gjithmonë 23 përgjegjësi të reja, që nga komandant toge, Instruktor, pedagog, shef, komandant, drejtor, shef, Dekan etj., kanë qenë rreth 14 mijë ditë dhe netë të mbushur me jetë të gjallë plot përkushtim e angazhim, me arritje e suksese, me sakrifica dhe privime, me arritje dhe dështime, me fitore por dhe zhgënjime, me mirëkuptime por edhe me keqkuptime, edhe pse të vogla kanë ekzistuar, me misione të sukseshme, trainime e kualifikime, me marrshime e transportime prej qindra mijëra kilometrash, brenda dhe jashtë vendit.
Në gati katër dekada kam qenë pjesë e investimit dhe kontributit modest në procesin e transformimit të sistemit të sigurisë e mbrojtjes kombëtare dhe atë të integrimit në strukturat euroatlantike të NATO-s, kemi përgatitur me qindra ushtarakë të të gjitha niveleve, për t’u bërë pjesë solide e zinxhirit të komandimit dhe të drejtimit të Forcave të Armatosura. Fati nuk më ka përkëdhelur dhe as më ka privilegjuar. Kam punuar në disa detyra, që është përputhur emërimi me dëshirën për punë si “komandant batalioni, Shef i Qendrës së parë të studimeve taktike për FA-në, komandant Brigade, Drejtor i AQFA-së, Drejtor në J-9 në SHP, Dekan në FSM në AFA, Shef Operacional në KFT, Shef Departamenti për Përgatitjen e Oficerit të Ri, Komandan i katër kurseve të AU “Skënderbej”, etj., për të cilat kam qenë maksimalisht i motivuar duke sakrifikuar edhe nga vetja. Janë disa nga detyrat ku kam “hedhur spirancën” e “anijes” së karrierës time, duke e parë si graviteti i suksesit në karrierë që gjithmonë kam bërë vetrevizionim të veprimtarisë active ushtarake.
Duke e parë veten si pjesë të një skuadre që synon dashurinë për vendin tim si dhe duke e shikuar në perspektivë për zhvillimin, kualifikimin, profesionalizmin duke dhënë pastërtisht gjithçka mundesha dhe gjykoj se ja kemi dalë për të transformuar siguri dhe duke dhënë shpresë me një mentaliteti të ri me koncepte të reja euroatlantike duke synuar modelin dhe kulturën perëndimore si dhe bashkëpunim me partneritet të plotë me anëtarët e NATO-s, në udhëtimin drejt përmbushjes së aspirates shqiptare të anëtarësimit dhe prej një dekade drejt integrimit të standartizuar në aleancën më të fuqishme të historisë botërore, NATO, në familjen e vlerave demokratike të planetit tonë. Vetë jeta ushtarake, ka qenë jeta ime si një shkollë e madhe universitare në të cilën kam transformuar vetveten, përgjatë viteve e dekadave në të cilat kam pasur përgjegjësinë për të ndjekur, përfaqësuar e prezantuar në dhjetra e dhjetra kurse e trajnime afatshkurtra në institucione dhe institute të sigurisë, si: Bruksel, Berlin, Freiburg, Romë, Napoli, Bukuresht, Ankara, Stamboll, Sofje, Selanik, Tetovë, Prishtinë, etj., dhe në disa nga kryeqytetet e vendeve të NATO-s. Nuk është imagjinatë, por realitet i konkretizuar me trainime, kualifikime dhe vizita në shumë vende, një trupëzim me erën europianiste të sigurisë, duke e materializuar edhe në vitet e mësimdhënies akademike në institucionin më të lartë akademik ushtarak të vendit, në Akademinë e Forcave të Armatosura. Ndihem përjetësisht mirënjohës dhe i vlerësuar për detyrat e rëndësishme të drejtimit të mjaft detyra përgjegjëse.
Jam ndjerë i vlerësuar kur në karrierën time ushtarake më janë akorduar 11 medalje, dekorata, tituj e urdhëra. Përgjithësisht kam punuar e drejtuar me kolegë/eprorë/vartës/bashkëpunëtorë të përgjegjshëm me shpirt gare duke kontribuar në stërvitje të rangut kombëtar, por edhe në stërvitje e operacione ndërkombëtare, në shtabe e operacione me ushtarakë pjesëmarrës deri në 45 kombësi, me pjesëmarrës të forcave tokësore, detare e ajrore. Stërvitjet i kemi parë ashtu sikurse janë në të vërtetë celësi i suksesit në FA. Arritjet, për mua dhe gjithë bashkëpunëtorët, nuk na kanë vetkënaqur kurrë, por kanë shërbyer për më lartë, më mirë dhe më profesionalizëm për vitet që pasuan, duke e ngritur shumë lartë stekën e veprimtarisë në karrierën time ushtarake.
Përtej modestisë me përgjegjësi kam lëvruar në fushën e historisë ushtarake, të teorisë së luftrave dhe të mendimit ushtarak shqiptar dhe botëror, kam shkruar e publikuar në dhjetra organe ushtarake e më gjerë në Shqipëri, Itali, SHBA, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Rumani, Bullgari, Turqi etj.
Megjithatë, më duhet ta theksoj se “lamtumirë” uniformë ushtarake, ka lidhje me daljen në rezervë, dhe me përmbylljen e karrierës nën uniform, sepse aktiviteti do të vijojë. Përtej kufizimeve të uniformës, prej dhjetë vjetësh kam kontribuar në sistemin mësimor universitar në IAL, për cështjet e sigurisë kombëtare e ndërkombëtare. Përtej urdhërave e rregulloreve jashtë politizimeve, kam synuar mbjelljen e frymës së bashkëpunimit dhe të konsensusit të gjerë, për të sjellë rritje të kapaciteteve të FA, drejtimit dhe mirësjelljes, edhe kur klima nuk e ka favorizuar me gradime e zhgradime politike, edhe kur ka pasur korrupsion të kamufluar, edhe kur objektet dhe infrastruktura në përdorim të FA-së.
Në një karrierë të gjatë ushtarake askush nuk është i pagabueshëm, por kam mësuar edhe nga gabimet. Jam rrëzuar, por jam ringritur, kam kapërcyer mbi zhgënjimet, mosmirënjohësit, cinikët, thashethemexhinjtë duke bërë paqe me vetveten, pasi kam pasur udhërrëfyes një maksimë proverbial të lashtë shqiptare se, “nuk mund të arrish në destinacionin e duhur nëse gjuan me gurë cdo qen që leh rrugës”. Dhe gjykoj se ja kam mbritur dhe ndjehem i qetë se kurrkush nuk ka as arsyen më të vogël, që të “më kapë pas xhaketës”, duke mos i lënë asnjë lloj borxhi as punës, as misionit, as vartësve dhe as njerëzve me të cilët kam punuar.
Shqipëria me të mirat dhe vështirësitë që ka është vendi ynë, që ne ushtarakët i shërbyem dhe do t’i shërbejmë sa të kemi frymë, me eksperiencën, idetë e projektet për strategji të qartë për korpusin e ish-ushtarakëve, për rishikimin ligjislativ, për marrëveshje, projekte dhe kthim të komunitetit ushtarak e ish-ushtarak në një faktor e grupim që ngelet një “depozitë e ndershmërisë dhe e pastërtisë njerëzore e kombit shqiptar”, e pastër në dobi të sigurisë qytetare, të sigurisë kombëtare dhe të stabilitetit të zhvillimit demokratik e funksional si dhe të promovimit në vijimësi të interesave kombëtare shqiptare.
Me çfarë do të merresh në të ardhmen, pyesin shokë, miq e kolegë? Ju siguroj se angazhimet, projektet për studime të karakterit historik, të sigurisë kombëtare e globale, të mësimdhënies do të vazhdojnë. Gjithmonë duke punuar. Unë nuk kam qenë në Forcat e Armatosura me dëshirë dhe i pa imponuar. Unë nuk ndjehem se “jam i çliruar” nga prangat e uniformës ushtarake, por gjendem sërish i motivuar të kontribuoj me eksperiencë, ekspertizë, e përgjegjshmëri, për sigurinë kombëtare e më gjerë.
Në kuadrin e “Faleminderit Forcave të Armatosura!”, shpreh konsideratën dhe mirënjohjen time për eprorët, kolegët, bashkëpunëtorët e shumtë brenda dhe jashtë vendit, që më kanë shoqëruar në karrierën ushtarake në rreth katër dekada. Sigurisht që kam dhe ndonjë keqardhje për humbjen e traditës së mirë që kemi patur, për sjellje të “kulturës” së mohimit, harresës e heshtjes, kur ka kontribuar një jetë për Atdheun e shoqërinë, sikurse në radhë të parë për familjen e vet. Por FA është organizata e tyre, është shtëpia e përhershme e tyre.
Një falënderim i madh është për familjen time që më ka “duruar” mua të shërbej gjatë në Forcat e Armatosura, sikurse edhe e kam “duruar”. Shqipëria, Atdheu është shtëpia jonë, shtëpia ime ka qenë në FA dhe e tillë do të ngelet përherë. Për shkak të karrierës time, por dhe të kompletimit me arsimim profesional ushtarak kam qenë tre vjet jashtë shtetit, ku është bërë edhe edukimi i dy fëmijëve në shkolla në Stamboll, që celi dritën e studimeve e kualifikimeve për fëmijët që morën që në vitet e para të jetës kulturë arsimore perëndimore, që do të vijonte më vonë me arsimimin në universitetet më prestigjioze të botës, arritjet në nivel ekselence na bën familjarisht krenar dhe nga ana tjetër janë dhe ndjehen në çdo kohë krenar për vendin tonë, Shqipërinë tonë të dashur.
Dhe së fundi, shokë, miq, kolegë, bashkëpuntorë të të gjithë niveleve edhe një herë: Gëzuar vitin e ri 2020-të!

Loading...