Menjëherë pas transmetimit në emisionin Fiks Fare të rastit të infermierit i cili merrte 1.5 milionë lekë për kurën covid-19, ka reaguar Drejtoria Vendore e Policisë Korçë e cila ka berë shoqërimin e menjëhershëm në komisarit të Nikolin Cikos.
Sipas burimeve pranë komisariatit çështja i ka kaluar për hetim prokurorisë pranë gjykatës së shkallës së parë Korçë.
Ndërkohë Presidentja e Urdhërit të Farmacistit, Diana Toma, reagoi për farmacistin i cili u shfaq në emisionin Fiks Fare si bashkëpunëtor i infermierit, duke dhënë mjekime pa një recetë mjeku.
Sipas znj. Toma kjo është shkelje e etikës dhe e ligjit. “Ne do ta thërrasim kolegun, dhe më vonë do shkojë në Komisionin e Disiplinës” tha znj.Diana Toma.
Një natë më parë Fiks Fare denoncoi me zë dhe figurë se si infermieri i urgjencës Nikoli Ciko nga Korça mashtronte me mjekimin e të sëmurëve me covid.
Madje në grackën e tij kanë rënë edhe pacientë të cilët nuk e kanë pasur këtë virus, por mjekimi që u është bërë nga infermier Ciko, pa u përcaktuar nga mjeku, u është bërë për covid.
I gjithë trajtimi kurativ që jepte infermieri Ciko shkonte 1.5 milion lekë, dhe ilaçet bliheshin në farmacinë e përcaktuar nga ai.