Shpella e Haxhi Alisë, histori jo vetëm piratësh, por dhe perandorësh…..

Në skajin veriperëndimor të gadishullit, në kepin e Gjuhëzës, nuk ndodhet vetëm shpella e Haxhi Alisë, por edhe shpella e Gramës, brenda të cilës janë zbuluar mbishkrime të shumta, që përkojnë me periudha të ndryshme të historisë. Gjiri i vogël i Gramës, që ndodhet në pjesën perëndimore të Karaburunit, është një nga surprizat më të veçanta të gadishullit, në pikëpamjen historike. Sipas historianëve, ky vend ka shërbyer që në lashtësi si vendpushimi për anijet. Në muret e shumta të gjirit konstatohen fare lehtë shumë shkrime të gdhendura nga marinarët, përmes të cilave shprehet mirënjohja ndaj Poseidonit, perëndisë së detit. Shkrimet e para i përkasin shekullit IV para Krishtit. Në shkrimet latine, që përkojnë me shekullin I pas Krishtit, gjenden emrat e Mark Antonit e të Pompeut, si dhe vizatime të ndryshme, mes të cilave anije, kryqe, spiranca, mburoja, etj.

Në këtë gji, ndodhet dhe shpella që mban të njëjtin emër, në muret shkëmbore të së cilës dallohen vizatime e shkrime, ku shprehen falenderime për bujarinë e mikpritjen.Nëse nuk kënaqeni thjesht me detin dhe diellin, mund të zgjeroni argëtimin tuaj me kulturë. Gjiri dhe Shpella e Gramës futen disa qindra metra në tokë, me brigje shkëmbore, me faleza, ndoshta dhe me shpella nënujore. Alberti dhe Xha Thanasi tregojnë se është përdorur si vendstrehim i anijeve gjatë furtunave. Këtu ndodhet gurorja e Gramës, ku në antikitet, skllevërit kanë gdhendur emrat dhe shënime të tjera, që përbëjnë mesazhe të rëndësishme për studiuesit. Gjiri më i famshëm i Gramës (Gramatë), që në greqisht do të thotë “shkrime” ndodhet në pjesën perëndimore të Karaburunit. Qysh në periudhën antike këtu ankoroheshin anijet,të cilat dallgët e detit mund ti përplasnin në shkëmbinjtë e gadishullit. Të strehuar këtu udhëtarë të shumtë nga vende të ndryshme të Mesdheut kanë lënë shënimet e tyre, të cilat i kanë gdhendur në faqet e shkëmbinjve.

Mbishkrimet më të vjetra nisin që nga shekulli i III-të p.k., dhe vazhdojnë gjatë periudhave të mëvonshme, duke shkuar deri në shekullin e XIX. Mbishkrimet e para ju kushtohen perëndive dhe janë lutje për shpëtim nga furtuna në det. Xha Thanasi veçon si më interesant një mbishkrim i vitit 1396, i cili tregon se gjatë udhëtimit të tij për në Francë u strehua nga stuhia në Gramata, vetë Perandori Bizantin Joani i V-të Paleolog. “Mbishkrimet janë në gjuhën e vjetër greke, latine dhe Bizantine.

Në shumë vende, afër shkrimeve ka dhe vizatime, e shenja simbolike, që nuk kuptohen nga vizitorë të zakontë,” shprehet xha Thanasi. Studimi i mbishkrimeve të Gramatës ka tërhequr vëmendjen e studiuesve. Nga arkeologë e historianë mund të përmendim Leon Hezein, Paolo Sestierin, Karl Paçin, Hamondin, etj. Ndërkohë që ishte i pari humanisti Italian, Kiriaku i Ankonës i cili u befasua me mbishkrimet e Gramatës, pas vizitës që bëri këtu në vitin 1435. Gjatë eksplorimit të tij arkeologjik, të bërë në Shqipëri, ai la në shënimet e tij punimet e para të mirëfillta të kësaj disipline shkencore.

Një ditë e tërë e kaluar krejtësisht të shkëputur nga bota, ku shoqëri ju bëjnë vetëm dielli, deti, zhurma e valëve që përplasen në shkëmbinj apo shushurima që takon rërën e ashpër e të bardhë ku thyhen rrezet e diellit.

Loading...