Deputeti i opozitës Halit Valteri, në fjalën e mbajtur në parlament, foli edhe për shpërblimin prej 50 mijë lekë të vjetra, që qeveria ka ndarë për pensionistët.
Valteri u shpreh se kjo është një tallje që bëhet me pensionistët, duke shtuar se shqiptarët po varfërohen përditë e më shumë, ndërsa qeveria jep koncesione.
“Të rinjtë nuk kanë më shpresë, shqiptarët janë varfëruar në 20 vjet. Pensionistët e zonave rurale marrin shumë pak para. Një person me pension nuk mbyll dot muajin. Një i afërmi im ka punuar 40 vjet dhe merrte 143 mijë lekë të vjetra, ku vetëm ujë, drita e ilaçe, e mbetet që të jetojë me para sa kafja e mëngjesit të një deputeti.
Të bësh 50 vjet punë të rëndë dhe të marrësh 50 mijë lekë të vjetra, që për dy pensionistë i bie me 100 mijë lekë të vjetra të kalojnë Vitin e Ri. A keni turp? Kostoja e jetesës po rritet përditë. Qeveria po tallet me pensionistët. Ju keni bërë marrëzi ekonomike”, tha Valteri.