Shpërndarja e bonusit të festave, ISSH jep njoftimin e rëndësishëm: Ja afatet për tërheqjen e shpërblimeve

Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka nisur shpërndarjen e bonusit me rastin e festave të fundvitit për pensionistët.

Pavarësisht krizës si pasojë e rritjes së çmimeve, të moshuarit këtë vit do të duhet të mjaftohen me 5 mijë lekë shpërblim, ndërsa edhe më e ulët është vlera e bonusit, që do të ndahet për personat me aftësi të kufizuara dhe familjet që trajtohen me ndihmë ekonomie.

Në vendimin e miratuar pak ditë më parë përcaktohet se për këto kategori vlera e shpërblimit do të jetë vetëm 3 mijë lekë.

ISSH

Sipas ISSH, shpërblimet do të kalojnë në llogaritë e pensionistëve përgjatë këtij muaji ndërsa ata, të cilët për një arsye apo për një tjetër nuk do të kenë mundësi të tërheqin bonusin në ditët në vijim nuk duhet të shqetësohen, pasi është përcaktuar afat 36 mujor. Çka do të thotë se për tërheqjen e bonusit të sivjetshëm pensionistët do të kenë afat deri në 2025- n.

“Me anë të vendimit parashikohet dhënia e një shpërblimi financiar në masën 5,000 lekë për personat që përfitojnë pension dhe/ose trajtime të tjera financiare. Shpërblimet do të kalojnë në llogaritë e pensionistëve në muajin dhjetor 2022 dhe do të paguhen gjatë këtij muaji. Në VKM përcaktohet se e drejta e tërheqjes së këtij shpërblimi ruhet deri në 36 muaj nga data e miratimit të këtij Vendimi, periudhë e njëjtë me parashkrimin e të gjithë përfitimeve që jepen nga legjislacioni i Institutit të Sigurimeve Shoqërore.

Të drejtën për këtë shpërblim e kanë edhe personat që aktualisht nuk kanë dalë në pension, por që e drejta për pension ju lind deri në datën 31.12.2022 përfshirë edhe këtë datë. Gjithashtu të gjithë ata pensionistë që e kanë tërhequr pensionin në datën 1 Dhjetor, mund të tërheqin në vazhdim bonusin, aty ku ata marrin rregullisht pensionin e tyre”, thuhet në njoftimin e ISSH.

Për personat që trajtohen me pension invaliditeti përfitimi është më i lartë pasi përveç bonusit në vlerën e 5 mijë lekëve, ata do të përfitojnë edhe 6 mijë lekë të tjera kompensim financiar. Pra, në total do të marrin 11 mijë lekë.

FONDI

Është rreth 3.5 miliardë lekë ose rreth 35 milionë dollarë fondi që do të ndahet për shportën e fundvitit.

“Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, llogariten në shumën 3 503 309 000, e ndarë në 3 475 505 000 për shpërblimin dhe 27 804 000 lekë komisione dhe shpenzime të tjera. Efektet financiare do të përballohen nga buxheti i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, i miratuar për vitin 2022”, thuhet në vendimin e miratuar në qeveri.

Loading...