Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe ka folur dje me tone të larta në Kuvend, teksa sërish ka dalë pro bujqve lidhur me rritjen e çmimeve dhe mungesën e mbështetjes ndaj fermerëve. Duke sjellë shifra konkrete, ai ka kërkuar reagim nga qeveria, duke dalë indirekt kundër dhe “Open Ballkan”. E për këtë ka bërë një ushtrim të thjeshtë me grurin. Sipas tij, në kulmin e krizës globale, ku prodhuesit më të mëdhenj janë prekur nga kriza e luftës mes Ukrainës dhe Rusisë, fermeri në Shqipëri nuk shet dot as grurin. Një kile grurë, sipas tij, shitet nga fermerët për gati 36 lekë.
Shumë kjo në rastin më të mirë, pasi në raste është shitur edhe me 20 lekë. Ai u shpreh se vendi ynë ka hapësira për të kultivuar grurin, por tregtarët shkojnë e marrin në Serbi, pasi e shesin më lirë. Kjo sepse vendi ofron subvencione për të gjithë fermerët. Sipas Braçes, ka një abuzim të madh me çmimet e produkteve nga tregtarët, të cilët i blejnë shumë lirë nga bujqit dhe i shesin shumë shtrenjtë. Nga foltorja e Kuvendit, Braçe iu drejtua ashpër deputetëve të majtë e të djathtë, duke i quajtur si të djathtë.
“Maskarenj që i flasin njëri-tjetrin në telefona dhe unë ju them se janë bujqit ata që na votojnë. Z. Duka unë do ta votoj projektligjin tuaj për bujqësinë”, tha deputeti.. Braçe foli sërish për bujqit duke thënë se askush nuk dëgjon hallet e tyre dhe nuk i mbështet, ndaj zgjedhin të largohen jashtë vendin e të mos punojnë tokat e tyre këtu.
“U gëzova shumë që dëgjova se do zerohet tatimi për pagat deri në 50 mijë lekë. A ka vlerë fjala në këtë parlament? Jemi 5 muaj pas diskutimit të paketës fiskale dhe në komisionin e Ekonomisë e thashë që është e vonuar, por u mohua, u kundërshtua dhe u kundërvotua, e ndërsa sot vijmë se do ta bëjmë tatimin zero për pagat deri në 50 mijë lekë. Fola për grurin që nuk merret askush, përveç grabitqarëve që e kanë çuar çmimin aty ku ishte vitin që shkoi.
Kam një rezervë dhe dua t’ia them propozuesit këtu, që koha e instrumenteve ‘ad hoc’ ka kaluar. Bujqësisë shqiptare i duhet bursa dhe i duhet tani, një instrument transparent-kombëtar, me qëllim që bujku të marrë djersën e tij”, tha Braçe.
Shehu akuza ministres Krifca
Ndërkohë edhe opozita e ka sulmuar Ministrinë e Bujqësisë se ka harruar të mbështesë fermerët në këto kohë krize dhe i ka braktisur këta të fundit. Ishte deputeti Tritan Shehu, i cili në fjalën e tij në Kuvend u shpreh kritik ndaj qeverisë, ndërsa theksoi se nuk kanë marrë asnjë masë dhe se qytetarët po përballen vetëm me rritje të çmimeve. Ndërsa foli për projektligjin për bujqësinë, Shehu tha se mazhoranca ka marrë masa për t’i ardhur në ndihmë fermerëve.
Mediu: Nëse nuk i mbështesim fermerët, bujqësia do të degradojë
Nga ana tjetër, kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu në fjalën e tij në Kuvend ditën e djeshme, tha se duhet të shmanget konkurrenca e pandershme pasi dëmton fermerët. Gjithashtu ai theksoi se barazimi i TVSH për shitje-blerje është i domosdoshëm,. “Duhet të shmanget konkurrenca e pandershme. Nëse ne nuk i mbështesim fermerët situata do të degradojë në sektorin e bujqësisë. projektligji që propozon zoti Duka, mund të them se krahasimet duhen lënë. Nuk mund të justifikohet mungesa e zhvillimit duke bërë krahasime me 10 vite më parë. Keni marrë detyrën për të bërë atë që është e ligjshme dhe në interes të qytetarëve shqiptarë”, tha ai. Më tej Mediu shtoi se duhet të merren masa në mbështetje të fermerëve dhe politika që të ndihmojnë në zhvillimin e bujqësisë .
Korreshi: Nuk keni bërë asgjë për t’i ardhur në ndihmë bujqësisë
Ndërsa deputeti demokrat, Saimir Korreshi foli në Kuvend për bujqësinë duke thënë se fermerët janë braktisur dhe nuk mungoi ironia e tij ndaj ministres Frida Krifca. “Disa muaj më parë kur u ndanë me fermerët para parlamentit kur bënin thirrje që të mbështeteshin, të kishte më shumë subvencion për të. Mbaj mend se nga ajo ditë ka pasur vetëm pirje kafesh në hollet e këtij parlamenti. Nuk e di a e patë filxhanin për të ardhmen e bujqësisë sepse është shumë e zymtë, besoj se duhet të ketë dalë skëterrë se e tillë është gjendja e bujqësisë shqiptare. Realiteti është me çizme llastiku të grisura, me duart e nxira nga kallot e fermerëve shqiptar sepse nuk keni bërë asgjë veçse trefishuar çdo lloj çmimi. Nuk keni bërë asgjë për t’i ardhur në ndihmë”, tha Korreshi.